Shqipëria ndodhet pranë heqjes së vizave dhe statusit si kandidat
Kryeministri Berisha i dërgon letër urimi homologut të tij belg, Leterme, për Presidencën e BE
Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar dje një letër urimi Kryeministrit të Belgjikës Yves Leterme, me rastin e marrjes nga ana e Belgjikës së Presidencës së radhës së Bashkimit Europian. Në urimin e tij drejtuar Letermes Berisha shprehet se Presidenca Belge vijon të mbështesë procesin e zgjerimit të unionit dhe përafrimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështet idenë e promovimit të infrastrukturave ndërkufitare, pika këto mjaft të rëndësishme për Shqipërinë.
“Me kënaqësi kam konstatuar se krahas përparësive të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e social të BE-së dhe për kapërcimin e situatës së krijuar nga kriza financiare globale, përmes konsolidimit të institucioneve e rritjes së punësimit e të prosperitetit të qytetarëve europianë, Presidenca belge vijon të mbështesë procesin e zgjerimit të unionit dhe përafrimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështet idenë e promovimit të infrastrukturave ndërkufitare”, thuhet në mesazhin e kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë shqiptare vijon më tej se “Shqipëria ka bërë përpjekje e progres të vazhdueshëm në reformat e lidhura me integrimin europian, të cilat muajin e shkuar u evidentuan dhe u vlerësuan qartësisht si në Deklaratën e Sarajevës ashtu edhe nga Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë, i Parlamentit Europian. Sot vendi im ndodhet përpara ngjarjeve të mëdha në marrëdhëniet e tij me Bashkimin Europian, si vendimi për liberalizimin e vizave e shqyrtimi i kërkesës për anëtarësim dhe, eventualisht, marrja e statusit të vendit kandidat. Duke Ju falënderuar për mbështetjen e çmuar e të jashtëzakonshme që Ju personalisht dhe vendi Juaj i keni dhënë në të dyja këto projekte Shqipërisë, mbetemi me bindjen e thellë se Presidenca Belge dhe vendi Juaj mik do të vazhdojnë t’i mbështesin Shqipërinë e shqiptarët për realizimin sa më të shpejtë të tyre”, përfundon mesazhin e tij të urimit, kryeministri Sali Berisha.
Belgjika mori presidencën e radhës 6 mujore të Bashkimit Evropian, me një program dhe vizion të qartë të zgjerimit të Unionit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.