E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në Bienalen e Venecias me 4 projekte

Juria e konkursit për pjesëmarrjen e Shqipërisë në edicionin e 13-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës, “La Biennale” në Venecia, ka përzgjedhur 4 projektet fituese.

Mes 11 konkurrentëve u përzgjodhën: arkitekti Ilir Voci dhe urbanistja Edvana Vangjeli, arkitektja Enejda Seraj si dhe studentët Brion Basha & Marvi Basha, Elian Stefa & Gyler Mydyti.

Tema e konkursit ishte fokusuar në rijetëzimin e Monumenteve të Kulturës si dhe të Strukturave Ndërtimore Ushtarake në Shqipëri, duke artikuluar koncepte të mundshme arkitektonike dhe teknike për transformimin e tyre në destinacione të mirëfillta turistike.

Fituesit e çmimit të parë Ilir Voci dhe Edvana Vangjeli, fituan me projektin e tyre për rikonstruksionin dhe restaurimin e objektit monument kulture të kategorisë së parë “Banesa e Patriotit Themistokli Gërmenji”, Korçë.

“Përzgjedhja e këtij projekti si fitues në konkurs është bazuar në vlerësimin e cilësisë së ndërhyrjeve konkrete të kryera në objekt. Një nga elementët thelbësore të vlerësimit ka qenë edhe fakti se projekti është i zbatuar dhe filozofia e ndërhyrjes është lehtësisht e dukshme”, thuhet në njoftimin për shtyp të MTKRS-së.

Me çmim të parë u vlerësua edhe Enejda Seraj për rivitalizimin e Akropolit të Kalasë së Beratit. Koncepti i ndërhyrjes propozon “ri-ngritjen” e plotë të gjithë strukturës, bazuar në lidhjen e strukturës së Akropolit me të gjithë parcelën urbane të Kalasë së Beratit. Juria vlerësoi konceptin e propozuar dhe në mënyrë të veçantë analizën e bashkëveprimit të Akropolit me Kalanë dhe me qytetin muze të Beratit.

Arkitektë Brion Basha & Marvi Basha, fituan me “Urban Skin”, Mbulesë membrane në hollin e brendshëm të Muzeut Historik Kombëtar. Sipas njoftimit për shtyp, juria vlerëson konceptin artistik të propozimit, ndërthurjen funksionale dhe estetike të tij me objektin e Muzeut, ku nëpërmjet strukturës transparente nuk pengohet vizibiliteti i eksterierit të hollit të brendshëm.

Ndërsa Elian Stefa & Gyler Mydyti fituan për idenë e tyre për ripërdorimin e 750,000 bunkerëve shqiptarë. Funksionet e reja mund të përfshijnë njësi shërbimi rekreative, dhoma pushimi, kioska informuese turistike, dyqane të ndryshme, suvenire etj.

Juria e konkursit përbëhej nga Gjergj Bakallbashi, Ledia Tota, Elton Qepali, Aurela Sina dhe Genc Përmeti. Kjo e fundit pritet të zgjedh edhe kuratorin përgjegjës për ekspozimin e katër projekteve në “La Biennale” në Venecia.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›