E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident në Tiranë, tre vdesin, katër plagosen

 Etleva DeliaTre të rinj vdiqën ndërsa katër të tjerë u plagosën dje në një aksident të rëndë, të ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit tek Ura e Madhe e Lanës, para Piramidës, në Tiranë. Përplasja e dy automjeteve në kryqëzimin e urës së madhe të Lanës, pak metra larg qendrës së kryeqytetit, ka qenë fatale. Dy të rinj që ndodheshin në njërën makinë dhe pasagjeri i makinës tjetër gjetën vdekjen menjëherë. Aksidenti për pak u ka kushtuar jetën edhe dy kalimtarëve të rastit. Policia e Tiranës informoi se aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tek ura e Lanës, në kryqëzimin me Bulevardin “Bajram Curri”. Dy automjete, një fuoristradë tip “Land Rover” me targë TR 9251 L dhe një autoveturë tip “BMW” me targë ç 944 XA, janë përplasur kokë më kokë me njëra-tjetrën. Automjeti “Land Rover” drejtohej nga 23-vjeçari Aldi Ishmaku, i cili është plagosur dhe ndodhet në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë. Personi tjetër që ndodhej në këtë makinë, 27-vjeçari Gentian Shehu, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Autovetura “BMVV”, drejtohej nga 37-vjeçari Kliton Andoni, i cili u gjet i vdekur brenda mjetit. Në makinën e drejtuar prej tij ndodheshin edhe dy vajza, 23-vjeçarja Blerta Beshi, e cila ndërroi jetë rrugës për në spital dhe një vajzë tjetër, e cila ende nuk është identifikuar. Ajo ndodhet në gjendje kome në Spitalin Ushtarak. Policia tha se në momentin e përplasjes së dy makinave, dy kalimtarë kanë qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Ata janë Arben Alla, 36 vjeç dhe Fatmir Leka, 20 vjeç të dy nga Saranda. Kalimtarët janë plagosur lehtë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. SKEMA E AKSIDENTITEkspertët e Policisë Rrugore dhe Hetimit të Aksidenteve kanë ndërtuar skemën e aksidentit, që shkaktoi tre të vdekur dhe katër të plagosur. Sipas hetuesve mësohet se makina tip “Land Rover”, ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi tej normave të lejuara, përgjatë Bulevardit “Bajram Curri”, me drejtim kryqëzimin e rrugës së Elbasanit. Në këtë kohë, makina tjetër tip “BMW”, ka qenë duke përshkuar Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”. Semafori në kryqëzim, në këtë kohë nuk ka qenë në funksion. Mungesa e gjumit dhe efekti i pijeve alkoolike ka bërë që asnjëri prej drejtuesve të mjeteve të mos frenonte për të kontrolluar rrugën. Me të njëjtën shpejtësi dy makinat janë përplasur në këndin e urës së Lanës, pak centimetra pa kaluar semaforin. Shtylla e këtij të fundit ra përtokë nga goditja që pësoi prej makinave. Sipas ekspertëve të policisë, nga shpejtësia me të cilën është goditur nga fuoristrada, makina “BMW”, ka rrëshqitur rreth 70 metra përgjatë trotuarit të bulevardit “Bajram Curri”, në drejtim të kryqëzimit të rrugës së Elbasanit. Gjatë rrotullimeve nëpër trotuar autovetura është përplasur edhe në 3 shtylla të vogla ndriçimi dhe më pas ka ndaluar në një shtyllë të katërt. Këtu ka përfunduar lëvizja e këtij mjeti. Ndërsa makina “Land Rover”, pasi ka thyer shtyllën e impiantit semaforik, është ndaluar në një shtyllë tjetër ndriçimi, në trotuarin sipër urës. Por në momentin kur “BMW”-ja ka rrëshqitur në bulevard ka përplasur edhe dy kalimtarët e rastit, të cilët janë plagosur dhe sipas policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Makina godet biçikletën në Fier, vdes i riu, kapet autoriFIER - Një aksident rrugor në fshatin Suk të rrethit të Fierit i ka marrë jetën një 32-vjeçari po nga ky fshat. Sipas burimeve nga policia e Qarkut Fier mësohet se viktima Kamber T., 32 vjeç, ishte duke udhëtuar me motoçikletë në brendësi të njërës prej lagjeve të fshatit të tij, kur një automjet tip “Benz” me targa të huaja i ka ndërprerë rrugën me shpejtësi, duke i marrë jetën drejtuesit të motoçikletës. Autori i ngjarjes është Elmaz Tomorri po 32 vjeç, banor i një fshati tjetër. Tomorri sipas policisë, i cili më vonë u vu në pranga, ka qenë duke ecur me shpejtësi në aksin rrugor mes fshatrave Suk dhe Arapaj, ndërsa motoçikleta ka dalë nga një rrugicë, e cila ishte pa fushëpamje për drejtuesin e autoveturës tip “Benz”. Përveç kthesës së padukshme dhe shpejtësisë me të cilën lëvizte “Benz”-i, ishte moti i lagësht, që ndikoi në vështirësimin e kontrollit të mjetit dhe të rrugës nga drejtuesi i autoveturës. Pas përplasjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur me të shpejtë efektivë të policia së qarkullimit rrugor të Fierit, si dhe efektivë të Policisë së Rendit, të cilët kanë bërë të mundur edhe shoqërimin e drejtuesit të “Benz”-it me targa AY 704 AK, i cilësuar si autor i aksidentit që i mori jetën bashkëmoshatarit të tij. Gjatë ditëve në vazhdim pritet që ekspertët të zbardhin mënyrën e aksidentit të rëndë.                               m.r.Masa për festatPolicia forcon kontrollin në rrugëTIRANE – Policia e Rendit dhe shërbimet e Policisë Rrugore kanë forcuar kontrollin në rrugë në prag të festave të fundvitit. Kthimi i emigrantëve, konsumimi i pijeve alkoolike, lëvizja në orët e vona të natës dhe rritja e numrit të mjeteve në rrugë, sipas policisë janë premisat kryesore për bilancin tragjik të aksidenteve çdo fundviti. Për këtë shkak, numri i efektivave që janë vendosur me shërbim në rrugë për kontrollin e trafikut thuajse është dyfishuar. Policia e kryeqytetit ka deklaruar gjithashtu, se gjatë kësaj kohe do të ndërmarrë masa ekstreme ndëshkuese për shkelësit e Kodit Rrugor. Ky plan masash i policisë ka për qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe mbajtjen e trafikut rrugor në kontroll.   Studentja vjen nga Rumania për festa, vdes në TiranëEtleva Delia Aksidenti i rëndë i ndodhur dje në Bulevardin e Tiranës është bërë objekt hetimi nga policia, e cila tha se konsumi i alkoolit nga drejtuesi i mjetit “Land Rover” dhe shpejtësia e madhe kanë shkaktuar ngjarjen. Ky është konkluzioni paraprak i Policisë së Tiranës, e cila dje pohoi se ka arrestuar drejtuesin e fuoristradës tip “Land Rover”, 23-vjeçarin Aldi Ishmaku. I riu ndodhet në Spitalin Ushtarak, por aty i është komunikuar masa e arrestit me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, “shpejtësi tej normave të lejuara”, “mosrespektim të sinjalistikës rrugore”, si dhe “drejtim të mjetit pas përdorimit të pijeve alkoolike”. Sipas të dhënave të policisë, të rinjtë që ndodheshin në të dyja makinat, dyshohet se kanë qenë në lokale nate dhe në kohën kur ndodhi aksidenti po ktheheshin në shtëpi. Personi që humbi jetën në makinën “Land Rover”, është djali i një mjeku pediatër të Tiranës. Ndërsa vajza që ndodhej në makinën “BMW”, Blerta Beshi, e cila ndërroi jetë rrugës për në spital, ishte studente në Rumani dhe kishte vetëm disa ditë që ishte kthyer pranë familjes në Tiranë, për festat e fundvitit. Drejtuesi i mjetit “BMW”, Kliton Andoni, ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe policia shpjegoi se ka qenë tepër e vështirë nxjerrja e tij nga makina, aq sa është dashur edhe përdorimi i mjeteve prerëse. Ndërsa vajza tjetër, e cila dyshohet se është mikesha e studentes Beshi, ndodhet në reanimacionin e Spitalit Ushtarak, në një gjendje kritike për jetën në koma. Sipas mjekëve vajza ende nuk ka dalë nga gjendja e komës, ndërsa ende nuk është identifikuar nga policia. Policia shpjegoi se vajza nuk kishte asnjë dokument identifikimi me vete, por duhet të jetë e moshës rreth 20-25 vjeç. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, asnjë familjar, i afërm apo mik i saj nuk është paraqitur në Spitalin Ushtarak për ta identifikuar, ndërsa gjendja e saj shëndetësore është kritike dhe është ende e pamundur që ajo të flasë vetë për të treguar identitetin e saj. Vajza e plagosur është gjetur nga policia në asfalt, pasi gjatë përplasjes kishte dalë nga makina.TE VDEKUR1. Gentian Shehu, 27 vjeç2. Kliton Andoni, 37 vjeç3. Blerta Beshi, 23 vjeçe, studenteTE PLAGOSUR1. Aldi Ishmaku, 23 vjeç, i arrestuar2. Arben Alla, 36 vjeç3. Fatmir Leka, 20 vjeç4. Një vajzë rreth 20-25 vjeç, e paidentifikuarAksidentet bëjnë bilanc lufte, policia shpërndan fletëpalosjeTIRANE – Dy ditë më parë policia shpërndau në Tiranë një fletëpalosje sensibilizuese kundër aksidenteve. Dokumenti i cili përmbante disa faqe me këshilla titullohej “Mos shpejto drejt vdekjes!”. Vetëm dy ditë pas kësaj, një aksident i rëndë, ndoshta më i rëndi në vitet e fundit ka ndodhur në Bulevardin kryesor të Tiranës. Prej muajsh Policia e Rendit, por edhe shërbimet rrugore kishin krijuar një “traditë” në masat e tyre operacionale, duke shtuar kontrollet dhe duke vendosur patrulla në thuajse çdo rrugë gjatë orëve të fundjavës. Trafiku rrugor është më i madh në këtë kohë, ndërsa gjasat për aksidente janë më të mëdha, për shkak të përdorimit të pijeve alkoolike. Natën e djeshme askush nuk ka mundur të parandalojë aksidentin tragjik. Policia tha se drejtuesi i automjetit “Land Rover” u arrestua sepse ka lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara, ndërsa ka qenë në efektin e pijeve alkoolike. Megjithatë, ai ka lëvizur disa kilometra në Tiranë pa u shqetësuar nga asnjë efektiv policie. Nëse një i tillë do ta kishte ndaluar drejtuesin e mjetit “Land Rover” për të verifikuar nëse kishte konsumuar alkool, i riu do të humbiste patentën, madje mund të paguante edhe një gjobë, por pasagjeri që ndodhej në makinën e tij do të ishte në jetë, ndërsa edhe ai vetë nuk do të gjendej në pranga edhe pse i plagosur në spital. Analizat e policisë tregojnë në fakt se mesatarisht të paktën dy persona vdesin çdo ditë në aksidente në Shqipëri. Policia në analizën e saj për vitin 2009 tha se në shkallë vendi u regjistruan vetëm 97 vrasje gjatë këtij viti, duke pohuar se kjo është shifra më e ulët e dekadës së fundit. Nga ana tjetër, nuk u llogaritën, në numrin e personave që kanë humbur jetën, viktimat e aksidentit. Vrasja ka të njëjtin rezultat, me armë apo me makinë. Megjithatë, gjykatat shqiptare ende nuk kanë dhënë ndonjë dënim mbi 6 muaj burg për autorët e aksidenteve, madje në shumicën e rasteve dënimet nuk janë më shumë se një gjobë që mund të vendoset nga polici rrugor për parakalim të gabuar. tr.so     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›