E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në NATO, Greqia e Sllovenia japin mbështetjen

Javës që vjen, Parlamenti grek do të ratifikojë Protokollin. Dje, Parlamenti slloven mori vendimin

TIRANË- Javës që vjen, Parlamenti i Greqisë do të ratifikojë Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut.


Garancia është dhënë dje nga ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, gjatë takimeve që ajo zhvilloi me krerët më të lartë të shtetit.


Në takimin me Presidentin e Republikës Bamir Topi, Bakojanis e ka siguruar kreun e shtetit se ratifikimi i Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë është vetëm çështje ditësh. Ndërsa Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehu mirënjohjen për ratifikimin nga Parlamenti i vendit fqinj të MSA-së së Shqipërisë me BE-në.


Kreu i shtetit dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, diskutuan edhe rreth situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili po përjeton një klimë të mirë e të qëndrueshme për t'u projektuar i tëri drejt zhvillimit dhe bashkëpunimit ekonomik dhe integrimit Euroatlantik. Po dje, Parlamenti slloven votoi në unanimitet ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Ky vendim është përshëndetur dje nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila i ka dërguar një letër përshëndetëse, Kryetarit të Parlamentit të Sllovenisë. Edhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, është shprehur dje përmes një njoftimi zyrtar se, "Ratifikimi i Protokollit nga Sllovenia është shprehje e mbështetjes së vazhdueshme të Sllovenisë për proceset e integrimit Euroatlantik të Shqipërisë dhe e marrëdhënieve të shkëlqyera me këtë vend fqinj".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›