Gërdeci, Mejdiu fajëson Gjeneralët
Prokuroria iu komunikoi dje akuzat 10 personave ushtarakë dhe civilë mes tyre Mediu e Luan Hoxha, për tragjedinë e Gërdecit
Ushtarakë dhe civilë, debatojnë dhe akuzojnë njëri- tjetrin
Të akuzuarit mohuan akuzat ndërsa kanë shmangur përgjegjësinë nga vetja, për dokumentacionin dhe mbikëqyrjen e Gërdecit
TIRANË- Zyrtarët e akuzuar nga Prokuroria për shpërdorim detyre, që solli pasojë ngjarjen e Gërdecit, edhe pse në mënyrë, jo të drejt për drejtë dhe jo përballë tyre kanë debatuar indirekt. Kjo për sa i përket fajësisë dhe përgjegjësisë për kryerjen e detyrave në rastin e mësipërm.
Të gjithë ish- zyrtarët kanë argumentuar pafajësinë e tyre dhe mungesën e kompetencave mbi kontrollin apo përgatitjen e procesit të demontimit, që nisi të kryhej në Gërdec.
Zyrtarët dhe Ushtarakët e akuzuar, janë munduar të shtyjnë tej, përgjegjësinë duke ia hedhur njëri -tjetrit. Ish- zyrtarët dhe krerët e Ministrisë së Mbrojtjes, atyre të Shtabit të Përgjithshëm.
Kjo ka ndodhur gjatë ditës së djeshme gjatë marrjes në pyetje dhe komunikimit të akuzës së personave të thirrur për ngjarjen e Gërdecit. Grupit hetimor të Prokurorisë së Përgjithshme, që po heton prej 11 muajsh tragjedinë e Gërdecit, iu deshën vetëm 6 orë kohë për t'i komunikuar akuzat 10 të pandehurve të këtij procedimi penal, në mesin e tyre katër gjeneralëve që deri paraditen e djeshme ishin vetëm në cilësinë e deklaruesve në këtë ngjarje.
Kështu, pranë Prokurorisë së Përgjithshme që nga ora 9:00 e mëngjesit e deri në ora 15:00 të pasdites së djeshme, janë paraqitur për t'iu komunikuar akuzat dhe marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurve 10 persona.
Mes të akuzuarve dhe të pandehurve, tashmë janë radhitur, ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, "të kryesuar" nga ish- Ministri Fatmir Mediu, si dhe ish- zyrtarë dhe ushtarakë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Nga ky institucion janë marrë të pandehur tre ish- krerët e lartë të Ushtrisë, si ish- Shefi i Shtabit, Luan Hoxha, dy Gjeneralët e tjerë, ish- komandanti i Forcës së Bashkuar Shpëtim Spahiu, e ai i Forcës Mbështetëse Zija Bahja, të pasuar dhe nga ushtarkë e zyrtarë të tjerë.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, mësohet se kanë qenë të pakët ata ish-zyrtarë të nivelit të lartë që para prokurorëve kanë pranuar të dëshmojnë me cilësimin e tyre si të pandehur. Gjithashtu, të gjithë të akuzuarit kanë shprehur papajtueshmërinë e tyre me akuzën.
Hoxha dhe Mediu
Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha, qe i pari që shkeli në Prokurorinë e Përgjithshme, duke u paraqitur në orën 9:00 të mëngjesit.
Pasi dëgjoi akuzat e ngritura ndaj tij, ka ripërsëritur se ka qenë i zhveshur nga përgjegjësitë në rastin e ish-repartit të tankeve në Gërdec, me urdhër të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Hoxha ka pretenduar se është anashkaluar me ndryshimin e strukturës së re të ngritur nga ish-ministri Mediu, ku disa përgjegjësi ia ka kaluar Komandës së Forcës së Bashkuar të drejtuar në atë kohë, nga ish- komandanti i saj, Gjeneral Shpëtim Spahiu",- ka thënë ish-shefi i Shtabit, Luan Hoxha, duke mos pranuar akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Ish- ministri Fatmir Mediu, mbërriti rreth orës 13:20 duke hyrë në ambientet e prokurorisë, i shoqëruar nga avokati i tij, Ardian Visha.
Mediu,ka mohuar të këtë shkelur ligjin në lidhje me vend caktimin dhe përgjegjësinë e mbikëqyrjes së kësaj punishteje. Për këtë ish- kreu i Mbrojtjes, ia ka hedhur fajin, ish- krerëve të Ushtrisë dhe ish- drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm.
"Kam deklaruar edhe herë tjetër, se përgjegjës për vend caktimin e fshatit Gërdec, për ngritjen e fabrikës së çmontimit të municioneve, furnizimin dhe mbikëqyrjen e kësaj fabrike, kanë qenë detyrë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.
Pasi ata kishin struktura të posaçme për kontrollin dhe verifikimin e kushteve të sigurisë në terren",- mësohet të ketë thënë Mediu. Më tej ish- Ministri ka deklaruar se qe i pafajshëm për akuzën e "shpërdorimit të detyrës", duke shprehur kundërshtinë e tij mbi të.
Ushtarakët
Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, i janë komunikuar akuzat edhe 3 gjeneralëve të tjerë të liruar nga detyra tashmë, Agim Lala, Shpëtim Spahiu e Zija Bahja. Gjithashtu ata kanë kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre nga Prokuroria.
Po ashtu, edhe të pandehurit e tjerë që u pyetën dje në prani të avokatëve të tyre mbrojtës, Ramadan Tartari, Ndue Marku, dy ish-Sekretarët e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai e Adriatik Mema, i pandehuri Shkëlzen Madani, nëpërmjet avokati të tij, e kanë deklaruar veten të pafajshëm.
Ndërsa, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Dashnor Çaushaj, Mark Pëllumbi, ka kërkuar nga organi i akuzës, t'i komunikohet gjatë paradites së sotme akuza klientit të tij, Kjo pasi Pëllumbi, ka pasur një angazhim gjyqësor në Gjykatën e Lartë. Kërkesa e avokatit të Çaushajt, u pranua nga grupi hetimor.
Asnjë nga të pandehurit e djeshëm nuk kanë pranuar të flasin për mediat, duke iu shmangur atyre si në hyrje të ndërtesës së Prokurorisë së Përgjithshme ashtu edhe në dalje të saj, pasi janë njohur me akuzat ndaj tyre, që shumica prej tyre do të mbajë përgjegjësi për "shpërdorim të detyrës" dhe "Shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive".