E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në NATO, Sllovenia dorëzon protokollin në SHBA



Konflikti slloveno-kroat për çështjen e kufijve nuk përbën më asnjë rrezik për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kjo për faktin se vet Sllovenia i hapi dje rrugën Shqipërisë që të bëhet anëtare me të drejta të plota në strukturën e Atlantikut të Veriut. Sllovenia depozitoi në Uashington dokumentet e ratifikimit të Protokollit për Anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Agjencitë sllovene të lajmeve bënë të ditur se dokumentet që konfirmojnë ratifikimin e Protokollit për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, tashmë kanë mbërritur në SHBA. Ndërkohë, nuk dihet nëse këto dokumente janë depozituar edhe për Kroacinë. Pak kohë më parë, një parti e vogël në Parlamentin slloven bllokoi dërgimin e këtyre dokumenteve në Uashington për shkak të konfliktit për kufirin që Lubjana ka me Zagrebin, duke kërkuar mbledhjen e 40 mijë firmave që janë 2 për qind e elektoratit, të cilat janë të nevojshme për një referendum. Por, pavarësisht konflikt mes dy vendeve, Shqipëria në asnjë rast nuk e pa si një rrezik për anëtarësimin e saj problemin slloveno-kroat. Madje, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, para pak ditësh në një intervistë për “standard”, bëri të qartë se “Shqipëria nuk ndihet aspak e rrezikuar nga konflikti Slloveni-Kroaci”. Sipas tij, pavarësisht ecjes së përbashkët, çështjet janë të ndara në aspektin juridik. “Natyrisht, ne urojmë dhe dëshirojmë që dhe Kroacia, e cila pa asnjë dyshim e meriton të jetë anëtare e Aleancës, do të zgjidhë çështjen që ka në diskutim me Slloveninë, para samitit të Strasburg-Kehlit”, - u shpreh z. Oketa. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje si pasojë e përpjekjeve serioze të qeverisë shqiptare në arritjen e këtij objektivi madhor. Tashmë Tirana konsideron se nuk ka ndonjë pengesë që mund të kthejë mbrapsht këtë proces. Ndaj dhe java e parë e prillit 2009 do ta gjejë Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në NATO. Pas këtij momenti, të tjera detyrime lindin nga Shqipëria tashmë në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Qeveria shqiptare ka bërë të qartë se anëtarësimi në NATO nuk do të ndalojë reformat, përkundrazi, ato do të njohin vijimësinë edhe pas këtij momenti historik për kombin tonë.

Shqipëria në NATO, Topalli-Sanader: Sllovenia, jo pengesë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori dje sigurinë e plotë nga Kryeministri kroat, Ivo Sanader, se problemi me Slloveninë nuk do të ndikojë në integrimin e të dy vendeve në NATO. “Besoj se ne do të kapërcejmë së shpejti problemet e momentit dhe do të festojmë së bashku 60-vjetorin e NATO-s dhe anëtarësimin tonë me të drejta të plota në këtë aleancë. Pas kësaj arritjeje, do të jetë edhe më e lehtë rruga drejt Bashkimit Evropian”, - tha Sanader. Të njëjtën gjë deklaroi edhe Topalli, duke thënë se të dy delegacionet do të jenë në Strasburg. “Delegacionet e Kroacisë dhe Shqipërisë do të jenë bashkë në Strasburg dhe Kehl. Bashkëpunimi ynë pas kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme do të kalojë në një stad të ri dhe ndihemi shumë mirë që do të jemi partnerë në sfidat e reja të sigurisë rajonale, por edhe globale”, - tha Topalli. Lidhur me çështjen e regjimit të vizave, Kryeministri Sanader konfirmoi se Kroacia do të liberalizojë lëvizjen pa viza me Shqipërinë brenda këtij viti. Kjo do të sillte jo vetëm lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, shkëmbimeve tregtare etj.

Samiti i NATO-s, Basha në ministerialin e Brukselit

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, u nis dje drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në ministerialin e Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, punimet e të cilit zhvillohen për dy ditë më radhë. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme, tema kryesore e këtij ministeriali është përgatitja për samitin e NATO-s të 3-4 prillit në Strasburg-Kehl, ku pritet që Shqipëria të marrë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjatë ministerialit, ministrat e Punëve të Jashtme të 26 vendeve anëtare të Aleancës, së bashku me ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë, do të diskutojnë një numër dokumentesh të rëndësishme për të ardhmen e NATO-s, të cilat do të paraqiten në samitin e Strasburg-Kehlit për t’u adaptuar nga kryetarët e shteteve/qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Ministri Basha mori pjesë mbrëmë në Darkën Transatlantike, të organizuar nga zv.kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme të Belgjikës, z. Karel de Guht. Në këtë takim, do të marrin pjesë, përveç ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Komisionierja e BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ku do të diskutohet për çështje të rëndësishme të komunitetit transatlantik.

Bashkëpunimi ushtarak, Oketa takon Picek

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, takoi dje shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Çeke, gjeneral lejtnant, Vlastimil Picek. Të dy zyrtarët folën për bashkëpunimin ushtarak përgjatë 2009-s, si dhe forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm z. Picek, konfirmoi vijimësinë e bashkëpunimit mes Forcave të Armatosura për më tepër edhe pranimin në prill të këtij viti të Shqipërisë në NATO, si anëtare me të drejta të plota. Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, z. Oketa, falënderoi Picekun për mbështetjen çeke që ka nisur prej 1999-s dhe theksoi se me Forcat e Armatosura çeke Shqipëria ka një bashkëpunim shumë të mirë, duke përmendur edhe misionin mjekësor në Afganistan.

Aplikimi në BE, Pak: Ju lutemi, prisni

Doris Pak, kryetare e delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, i kërkon Shqipërisë që të mos nxitojë me aplikimin e vendit kandidat në BE deri në një moment të përshtatshëm. Ajo e argumenton këtë këshillë me faktin se shkaqet nuk kanë të bëjnë me Shqipërinë, e cila vlerëson progresin e saj, por me zhvillimet brenda vet BE-së si dhe krizën globale. "Mendoj se fillimisht duhet të them se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara dhe për këtë duhet ta vlerësoj. Por, nuk është momenti për të kërkuar statusin kandidat, sepse nëse e shihni çfarë ndodh në BE në këtë moment që po flasim, do të kemi dhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian, do të kemi një komision të ri. Ata nuk do të marrin asnjë përgjigje”, - tha znj. Pak. Sipas saj, kjo do të thotë se ta bësh kërkesën në muajin prill, për shembull, atëherë nuk do të ketë asnjë përgjigje gjatë këtij viti dhe do të duhet të presin. “Pra, - shpjegoi ajo, - është më shumë frustruese që të kërkosh diçka dhe të mos marrësh përgjigje në kohë sesa të presësh dhe të vazhdosh të punosh drejt Bashkimit Evropian”. “Dhe unë mendoj se nuk ju bën asnjë dëm nëse ata presin. Si një mike e Shqipërisë, unë mund t’ju them: Ju lutem prisni. Dhe mos e përdorni këtë për ndonjë manovër politike, pasi kjo gjë nuk ju ndihmon", - tha znj. Doris Pak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›