E Diel, 1 Nëntor 2026

Varësia e KKRT nga qeveria, PD tërhiqet pjesërisht

Me draftin e ri, PD-ja vendos të tërhiqet në një nga nenet që përcakton varësinë e KKRT-së nga qeveria


TIRANË- Mazhoranca ka hequr dorë nga tentativa e saj për të kontrolluar në mënyrë ligjore Këshillin Kombëtar të Radiotelevizioneve.

Pas publikimit nga "Shekulli" të një prirjeje të tillë, të evidentuar në projektligjin e ri që kërkon të rregullojë veprimtarinë e shërbimeve të transmetimeve të programeve me zë e figurë dhe shërbimeve mbështetëse në territorin e Republikës së Shqipërisë, shumica qeverisëse, e përfaqësuar në komisionin parlamentar të medieve, ka detyruar hartuesit e këtij drafti që të ndryshojnë draftin e paraqitur, në ato nene ku evidentohet roli kontrollues i ministrit të Transporteve dhe Telekomunikacioneve mbi KKRT-në, e cila gjithashtu propozohet të quhet Këshilli Kombëtar i Transmetimeve (KKT).


"KKT-ja ushtron veprimtarinë e vet në përputhje me këtë ligj, nën mbikëqyrjen e Kuvendit dhe në bashkëpunim me ministrin dhe AKEP-in", - ka qenë formulimi i pikës dy të nenit 4 të këtij projektligji, ku dhe siç shihet, evidentohet qartë vartësia, në të cilën vihet KKT-ja nga qeveria.

Por, duke hasur edhe në kundërshtimin e opozitës, deputetët e shumicës janë detyruar së fundmi të shmangin një vartësi të tillë, duke bërë që të ripunojnë draftin përsëri, por kësaj here pa një përmbajtje të tillë.


Kështu, në pikën 2 të nenit katër të draftit të ri, nuk përmendet fare fjala ministër, por përcaktohet se vetëm se "KKT-ja ushtron veprimtarinë e vet në zbatim dhe përputhje të këtij ligji".


Ndërkohë, ky kujdes që është treguar për këtë nen, nuk është treguar për nene të tjera, ku përsëri ky institucion, pra KKT-ja, vihet në kushtet e vartësisë indirekte nga qeveria, pasi nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e saj të pavarur, pa pëlqimin e ministrit dhe as mund të marrë kredi, po pa lejen e tij.


Ndërkohë, drafti përmban dhe një sërë nenesh të tjerë të debatueshëm, ku më kryesori dhe ku palët nuk kanë arritur ende të gjejnë konsensusin, është neni 5, që ka të bëjë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KKT-së.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›