Berisha shkarkon ministrin e Kulturës, Ylli Pango
Qeveria “Berisha” funksionon mbi një moral, dhe kushdo nga anëtarët që e shkel, atë, ikën nga kabineti. Rasti më konkret është ai i mbrëmshmi ku pas transmetimit në emisionin “Fiks fare” në Top Channel, të pamjeve komprometuese ndaj ministrit të Kulturës, Ylli Pango, Berisha i komunikoi menjëherë shkarkimin nga kjo detyrë. Por Pango u mbrojt duke i thënë Kryeministrit se pamjet janë një montaturë e mirëfilltë e medias. Zëdhënësja e Kryeministrit Sali Berisha, znj. Juela Meçani, njoftoi dje vendimin e z. Berisha për shkarkimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Ylli Pango. Sipas saj, Kryeministri Berisha ka komunikuar me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, prof. Ylli Pango, dhe i komunikoi atij se episodi i paraqitur në media është i papranueshëm në moralin dhe standardet e qeverisë që ai drejton. Në këto kushte, Kryeministri Berisha ka vendosur shkarkimin e tij nga detyra e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. “Z. Pango lidhur me këtë çështje i tha Kryeministrit Berisha se kemi të bëjmë me një montaturë të mirëfilltë të medias. Kryeministri Berisha u shpreh se ky pozicion i z. Pango nuk mund të sqarohet dhe saktësohet duke mbajtur postin e ministrit”, - bëri të ditur zëdhënësja e Kryeministrit, znj.Juela Meçani. Vendimi për shkarkimin e Pangos nga ana e Kryeministrit Berisha erdhi menjëherë pas transmetimit në emisionin “Fiks fare” në Top Channel, që shfaqi pamje komprometuese ndaj ministrit Pango, ndërsa e denoncoi atë për shpërdorim të detyrës. Ndërkohë që Kryeministri Berisha vendosi mbrëmë për shkarkimin e z.Pango, sot në orën 12:00 ai ka lajmëruar mbledhjen e Këshillit të Ministrave.