E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria në NATO”, tashmë edhe një Shqipëri e rrugëve evropiane

Në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, Kryeministri Sali Berisha, ishte dje në qytetin e Gramshit, ku ka zhvilluar edhe një takim me banorët e këtij qytetit. Kreu i qeverisë përmendi se në këto tre vite, Shqipëria ka ndryshuar më shumë se kurrë, dhe se sot është një nga vendet më të sigurta pas reformave që ka ndërmarrë, duke shembur murin e krimit dhe korrupsionit, që kishte gjalluar dhe rrënjosur gjatë qeverisjes së mëparshme me implikime të drejtpërdrejta të ministrave socialistë, nëpërmjet monopoleve në treg dhe konfliktet të vazhdueshme interesash. “Shqipëria tre vjet më parë ndodhej para murit të krimit sot është një nga vendet më të sigurta, Shqipëria ndodhej tre vjet më parë para murit të korrupsionit, sot e ka shembur atë, Shqipëria sot ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim e Asociimit , Shqipëria e cila tre vjet më parë ishte vite dritë larg NATO-s, sot shkon e sigurtë drejt saj. Por Shqipëria vetë ka bërë ndryshime të jashtëzakonshme. Sot ky vend më shumë se kurrë në tërë ekzistencën e tij është kantier ndërtimi”, tha Berisha. Sipas tij, nga një Shqipëri me emër të nxirë ne po nxjerrim një Shqipëri me emër të ndriçuar. “Shpreh kënaqësinë sepse unë vij tek ju me një premtim historik, “Shqipëria në NATO”. Ky është realizimi i projektit-ëndërr e të shqiptarëve për të jetuar të sigurtë për të patur të ardhmen e tyre të garantuar në liri. Pas shekujsh udhëtimesh në vështirësi të madhe, pushtime, shtypje, varfërie dhe skamje ky është rikthimi i kombit tonë në familjen që i përket, familjen e kombeve më të lira dhe më të fuqishme të planetit. Më 3 prill ndahet historia e kombit tonë nga histori vuajtjesh e pasigurie në histori lirie dhe siguri të plotë, histori të ardhmeje. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO vjen si rezultat i përpjekjeve të jashtëzakonshme që shqiptarët bënë në 16 vjet pluralizëm në marrëdhëniet e shkëlqyera me NATO-n dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe ekonomisë së tregut. Shqipëria në NATO nuk erdhi kurrë si një dhuratë apo si rezultat i interesave gjeostrategjike. Shqipëria në NATO erdhi sepse qeveria u faktoi të 26 vendeve anëtare se ky vend, se ky popull dhe kjo qeveri janë të vendosur të ndërtojnë dhe konsolidojnë në Gramsh, Elbasan dhe kudo në Shqipëri vlerat e lirisë, vlerat mbi të cilat ngrihen shoqëritë e lira, vlerat e prosperitetit”, vuri në dukje kreu i qeverisë Berisha. Shefi i ekzekutivit, theksoi se tre vjet më parë Shqipëria përjetonte momente shumë të vështira, përjetonte një gjendje në vend numëro. Vërtetë situata mund të përshkruhej me vargjet e Vaso Pashës “një fjalë të mirë askush s’ta flet”, jo se kishin gjë me ne, por sepse ne paraqiteshim të përçudnuar para tyre”. “NATO nuk mund të pranonte një vend, qytetet e të cilit dominoheshin nga bandat e krimit. Nuk mund të pranonte NATO-ja një vend, trarët e doganave të të cilit ngriheshin nga Nehat Kullat, Aldo Baret dhe Lul Berishat. NATO nuk mund ta donte dot një vend të tillë. Nëse nuk siguron qytetarët e tu, nëse nuk i bën të sigurta rrugët, rrugicat e qyteteve e fshatrave tuaja për fëmijët, për të moshuarit, për gratë për të gjithë atëherë ti nuk mund të kontribuosh në sigurinë e të tjerëve. Ndaj dhe ne shpallëm zero tolerancë ndaj krimit të organizuar”. Në këtë kuadër në një vit e gjysëm shpartalluam, ndaluam dhe vendosëm para ligjit, prapa hekurave mbi 900 anëtarë të 206 bandave që u shndërruan në tmerr jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën. “Në çdo takim ndërkombëtar i garantoja bashkëbiseduesit e mi se shoqëria shqiptare nuk pajtohet kurrë me kriminalitetin dhe se krimi nuk është pjesë e moralit tonë. Ne kemi patur rend e rregull edhe kur nuk kishim shtet. Por, krimi i organizuar e kishte nxirë aq shumë faqen e vendin tonë saqë shpesh më shtronin pyetjen se a janë të pakthyeshme këto arritje. U desh punë e madhe që të bindim 26 vendet anëtare që arritjet janë të pakthyeshme. Ne jemi të vendosur të zbatojmë të gjitha standardet e vendeve të aleancës dhe kjo bëri që një muaj më parë në Lubjanë 27 ministrat e jashtëm të BE-së të firmosin deklaratën, në të cilën shkruhej se reformat në Shqipëri janë frymëzuese për vendet e rajonit. Nga një Shqipëri me emër të nxirë po e nxjerrim në një Shqipëri me emër të ndriçuar. Sot ne jemi më të vendosur se kurrë të bëjmë edhe më shumë për sigurinë tuaj. Ne i qëndrojmë luftës me zero tolerancë ndaj krimit. NATO është pasaportë e shkëlqyer për shqiptarët, një votëbesim i madh i 26 qeverive për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot ne jemi më të nderuar dhe të sigurtë se kurrë në shekuj. Do të kemi të ardhmen më të shkëlqyer që kemi patur ndonjëherë”, tha Berisha. Ndër të tjera, kryeministri Berisha, vlerësoi përpjekjet e qeverisë, për luftën e vendosur ndaj fenomenit të korrupsionit, kjo e vërtetuar edhe në bazë të fakteve, pasi në qeverisjen e mëparshme dominonin monopolet e ministrave dhe liria ekonomike ishte në nivele in extremis. “Në tre vjet, administrata ime është jashtë konfliktit të interesit. Nga ministra me monopole në tregun e ushqimeve, në tregun e naftës në tregun e ndërtimeve, Agron Duka, Anastas Angjeli, Spartak Poçi dhe të tjerë. Le të dalë tani një qytetar i Gramshit dhe i gjithë Shqipërisë, i majtë i djathtë apo pa parti dhe le të thotë se cili ministër ka monopol. Kjo do të thotë se qeveritarët, zyrtarët të mos mund të përdorin më pushtetin e tyre dhe të kompanive të tyre për të vjedhur paratë tuaja. Ju premtova qeveri të vogël dhe në dietë e mbajta fjalën. Sot administrata shqiptare nga segmenti më i thjeshtë deri tek Kryeministri shpenzon 110 milionë, 31 % më pak se administrata e mëparshme. 110 milionë eurot tuaja më parë i hante korrupsioni shndërroheshin në telefonata në vetura luksoze në pritje dhe përcjellje në hotele me pesë yje, shndërroheshin në shpërblime abuzive”, vlerësoi kreu i qeverisë Berisha. Sipas kryeministrit, në sistemin e drejtësisë, duhen reforma akoma edhe më të thella, dhe se duhet vazhduar beteja që të gjithë shkelësit e ligjit të cilët nuk luftojnë krimin dhe korrupsionin, por bëhen pre e tij, të vihen përballë ligjit. “Akoma asnjë gjykatës në dhjetë vitet e fundit nuk ka parë qelinë, paçakas se janë hajdutët më të mëdhenj të Europës. Unë ju garantoj se do të vazhdoj betejën time derisa të shoh gjykatës dhe prokurorë, mjekë apo kushdo qoftë të përballet me ligjin. Në qytetin tuaj tre muaj më parë një faqezi si Bujar Musta, kryetar i gjykatës së Elbasanit një kriminel si ai liroi në sallën e gjyqit vrasësin e njeriut të pafajshëm. Motra e viktimës, emigrante në Itali, intelektuale tre muaj para gjyqit më bën një letër tronditëse ku më thotë se dora e zezë e vrasësit i mori jetën vëllait tim në derën e shtëpisë. Unë të garantoj se vrasësin do ta lirojnë. Dhe në fakt vrasësin e liruan. Bujar Musta u largua, por ju jap fjalën se do ta ndjekim kudo që të shkojë. Ne pamë një prokuror kur kërkoi 7 mijë euro. Është i vetmi faqezi, i cili i filmuar, i faktuar ecën i lirë në rrugët e Tiranës. Natyrisht prokuroria e shkarkoi, por gjykatësi faqezi e vlerësoi dhe e la të lirë. Sali Berisha nuk erdhi në pushtet për t’u pajtuar me ta”, u shpreh më tej shefi i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, në takimin me banorët e qytetit të Gramshit, në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”.
Qeveria do të financojë asfaltimin e të gjitha rrugëve ndërlidhëse në rrethin e Gramshit/Unë jam i vetëdijshëm për vështirësitë tuaja ndaj u kërkova autoriteteve të Bashkisë të sjellin projektin e unazës dhe projektin e ujësjellësit dhe ne do t’i financojmë ato. U kërkova të sjellin të gjitha projektet në mënyrë që të mos ketë asnjë pëllëmbë rrugë të pasistemuar dhe pa-asfaltuar në qytetin tuaj. Unë nuk mund të pranoj që ditë pas dite të qëndroni në baltë ato para janë tuajat dhe ju duhet ta ndjeni që qyteti juaj merr fytyre europiane. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha, gjatë inaugurimit të përfundimit të sistemit të ndriçimit të qytetit të Gramshit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 5 milionë lekësh. Kreu i qeverisë vuri në dukje se qeveria do të mbështesë autoritetet vendore në të gjitha projekt që ata bëjnë për ju. “Qeveria ime ka trefishuar grantin për qeverisjen vendore, ju jap fjalën se do ta katërfishojmë. Shpreh kënaqësinë time më të madhe se vërtet janë forcuar kapacitet ndërtuese. Kur shkoj në fshatra befasohem kur gjej rrugë të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe kjo tregon se rritur kapacitete tona zhvillimore kjo tregon se ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend europian. Në ditët e para të qershorit ne marrin pyetësorin për lëvizjen tuaj të lirë. Zotohem para jush dhe qytetarëve shqiptarë se do të përmbush çdo detyrim në mënyrë që ju të lëvizni të lirë në të gjithë Europën”, theksoi Berisha. Duke vlerësuar cilësinë e mirë të punimeve, Kryeministri Berisha tha se përfundimi i këtij projekti i jep një fytyrë të re kësaj lagjeje të bukur të qytetit të Gramshit. “I kanë bërë një sistemim shumë të bukur kësaj lagjeje që është në zhvillim dhe infrastruktura është një përparësi e Bashkisë dhe ne e mbështesim atë për çdo projekt në infrastrukturë”, u shpreh Kryeministri Berisha. Më pas Kryeministri inspektoi punimet për rikonstruksionin e trotuareve dhe sistemin e ndriçimit në lagjen “Sporti”, të qytetit të Gramshit, një investim tjetër i qeverisë me vlerë 4.4 milionë lekë. Punimet janë në fazën përfundimtare të asfaltimit, fazë e cila do të pasohet me gjelbërimin e të gjithë rrugës. Kryeministri tha se që nga viti 1984 e deri më sot nuk është bërë asgjë për këtë lagje, dhe shprehu kënaqësinë që qeveria e drejtuar prej tij ka marrë përsipër sistemimin e kësaj lagjeje. “Në këtë lagje që nga viti 84 deri më sot nuk është bërë asgjë jo vetëm për këtë lagje, por edhe për Gramshin. Është një përgjegjësi e të gjitha qeverive, por unë ndjehem i lehtësuar dhe i kënaqur që qeveria që unë drejtoj ka marrë përsipër sistemimin e kësaj lagjeje pasi është e pafalshme që qyteti është lënë në harresë për 8 vjet nga dy qeveri socialiste”, u tha Kryeministri banorëve të Gramshit. Kryeministri i siguroi ata se qeveria do të asfaltojë dhe modernizojë të gjithë infrastrukturën e qytetit të Gramshit. “Pushteti lokal do të bëjë të gjitha projektet për të gjitha rrugët dhe rrugicat e qytetit dhe qeveria do ta mbështesë atë duke përmbushur një detyrim ndaj qytetarëve të Gramshit”, tha Kryeministri. Më tej Kreu i qeverisë përshkoi në këmbë të gjithë lagjen dhe u takua e u përshëndet me banorë të saj. Gjithashtu Kryeministri inauguroi shtrimin e rrugës dhe rrugicave në lagjen Xhile Lici në qytetin e Gramshit, një nga lagjet më të vjetra të këtij qyteti. Kjo, tha Kryeministri, është një nga lagjet më të vjetra të qytetit e Gramshit , e cila për 40 vjet ka përjetuar vetëm baltë. “Garantoj të gjithë qytetarët e Gramshit se do të asfaltojmë çdo rrugë e rrugicë të këtij qyteti se do të rindërtojmë të gjithë rrjetin e brendshëm të ujësjellësit të qytetit dhe do të ndërtojmë unazën e qytetit”, u shpreh më tej Kryeministri Berisha. Më tej kreu i qeverisë inspektoi edhe punimet në rrugën e re Fshat-Gramsh-Vinë. Ky segment rrugor me gjatësi 4.4 km me gjerësi 3.5 m, i hapur nga fillimi, është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 20 milionë lekë. “Kjo është një rrugë prej 10 km. Sot ne inaugurojmë rikonstruksionin e 4 kilometrave të para. Pasi të përfundojë rikonstruksioni ne do të asfaltojmë të tërë rrugën. Rruga jo vetëm lidh këtë komunë me Gramshin, por lehtëson edhe komunat e tjera që janë plotësisht malore dhe në kushte klimaterike më të veçanta se sa zonat e tjera dhe ne do të përpiqemi t’ua lehtësojmë distancën”, u shpreh Kryeministri Berisha duke nënvizuar se zona ka pasuri natyrore që duhen shfrytëzuar dhe për këtë arsye ka nevojë për infrastrukturë moderne. Kryeministri theksoi se do të përgatitet tenderi për asfaltimin e 4 kilometrave të para kësaj rruge, ndërsa garantoi se ajo do të shtrohet deri në qytetin e Gramshit. “Hapja e rrugës ka përfunduar. Ne po përgatisim tenderin për asfaltimin e 4 kilometrave të para, por ju siguroj se asfaltimi do të bëhet deri në qytetin e Gramshit. Ky është një nga rrethet me probleme madhore në infrastrukturë dhe qeveria angazhohet të bëjë të gjitha përpjekjet për të lehtësuar qarkullimin dhe jetën tuaj”, u tha Kryeministri banorëve të kësaj zone. Gjithashtu Kryeministri Berisha siguroi kryetarin e komunës se qeveria do të mbështesë çdo projekt që synon lehtësimin dhe përmirësimin e jetës së banorëve.
Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e rrugës Banjë-Drizë në Gramsh/Gjatë vizitës së tij në Gramsh, Kryeministri Sali Berisha përuroi përfundimin e punimeve në rrugën Banjë-Drizë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 156 milionë lekë. Pas prerjes së shiritit të inaugurimit, Kryeministri Berisha tha se me investimin e bërë Gramshi fiton një lidhje të re me Tiranën dhe shmang rrugën e mundimshme që banorët e kësaj zone duhet të bënin përmes kodrave në rrugën e mëparshme. “Rruga kalon në luginën e lumit dhe shkurton distancën mes Tiranës dhe Gramshit. Kjo distancë do të shkurtohet shumë më tepër. Ky është një investim me vlerë 156 milionë lekë që ka zgjidhur një problem shumë të madh duke shkurtuar në mënyrë shumë të ndjeshme lidhjet e Gramshit dhe zonave përreth saj me kryeqytetin. Ky është një premtim tjetër i mbajtur për qytetarët e Gramshit”, tha Kryeministri Berisha.
Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›