E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitzel: “Jemi të aftë të mundim Shqipërinë”



Trajneri i Maltës, Dushan Fitzel, theksoi gjatë një konference shtypi për mediat malteze se skuadra që ai drejton i ka të gjitha mundësitë për të marrë rezultat pozitiv me Shqipërinë në “Ta’Qali”. Në konferencën e tij të mbajtur në hotel “Exelsior”, në Floriana, Fitzel iu përgjigj interesimit të medias së etur për të ditur detaje nga përgatitja e skuadrës në prag të ndeshjes me Shqipërinë, pyetje që kishin edhe një ton stresues për trajnerin sllovak të maltezëve.
“Lojtarët tanë janë në gjendje të mirë fizike dhe në një formë të mirë mendore për ndeshjen”, - citohet Fitzel nga sajti zyrtar i Federatës Malteze të Futbollit.
Gjithsesi, trajneri Dushan Fitzel nuk e zbuloi formacionin anti-Shqipëri, edhe pse ai u pyet shumë herë nga mediat vendase. Gazetarët maltezë kishin vlerësuar paraqitjen e Kombëtares së tyre, sidomos në pjesën e parë të ndeshjes kundër Ferencvaroshit, duke treguar një karakter të mirë futbollistik, por trajneri Fitzel deklaroi se kjo e bënte shumë të vështirë detyrën e tij për të zgjedhur formacionin shartues në ndeshjen kundër Shqipërisë. “Nga njëra anë unë jam i lumtur, por nga ana tjetër është e vështirë për mua të zgjedh lojtarët. I vetmi emër i sigurt në fushë është trajneri”, - tha me të qeshur Fitzel.
I pyetur në mënyrë të vazhdueshme rreth gjendjes fizike të lojtarit më të mirë Majkëll Mifsud, nivelit të performancës së tij si atë mendore ashtu dhe futbollistike, trajneri theksoi se ai kishte folur me Majkëllin.
“Ai dëshiron të luajë, ai dëshiron të tregojë veten, ai dëshiron të shënojë”, - deklaroi Fitzel. Trajneri i Maltës foli më pas dhe për listën e përzgjedhur të 18 lojtarëve, ku mungon një nga lojtarët më të famshëm ishullorë, Jamie Pace, që sipas Fitzelit ishte lojtari më i mirë maltez në eliminatoret e Euro 2008.
Trajneri i Maltës, Dushan Fitzel, i thuri elozhe Kombëtares shqiptare dhe trajnerit Ari Han. “Sapo kam parë dy video të Shqipërisë të ndeshjeve të fundit (kundër Portugalisë,0-0 e Azerbajxhanit, 1-1). Ata (shqiptarët) janë përmirësuar shumë”, - tha tekniku çek i maltezëve. “Në ekipin shqiptar sot mund të vesh re mënyrën e lojës holandeze, ata janë mjaft të lirshëm kur e qarkullojnë topin në sulm dhe bëhen agresivë dhe kërkues kur e humbasin. Ne do të kërkojmë të përfitojmë nga pikat e dobëta.
Ekipi im, Malta? Ndihem shumë i kënaqur dhe do të doja ta përcillja këtë besim te lojtarët. Shqipëria është mundësia jonë e vetme për të marrë pikë dhe për këtë do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet”.
Trajneri i përfaqësueses malteze, Dushan Fitzel, ka shpallur listën me 18 emrat e përzgjedhur për ndeshjen e së mërkurës kundër Shqipërisë. Fillimisht, sllovaku i bankinës ishullore kishte grumbulluar 36 lojtarë për përballjen e 11 shkurtit me kuqezinjtë, por më pas ai e ka reduktuar ndjeshëm listën e parë në vetëm 18 emra, midis të cilëve nuk mungojnë as Luke Dimech apo Micahel Mifsud.
Këngëtarja malteze, Kiara, e cila do të përfaqësojë vendin e saj në Eurovizion, do të jetë e pranishme në stadium sot për të parë ndeshjen. Ky informacion jepet në faqen zyrtare të Federatës Malteze të Futbollit, ku sqarohet se Kiara do të jetë këngëtarja më e rëndësishme mikeshë në stadium.

Malta
Portierë:
Justin Haber (Shefild, Angli), Andrei Hogg (Valeta).

Mbrojtës:
Andrei Agius (Igea, Itali), Ian Azzopardi (Sliema), Shaun Bajada (Birkirkara), Luke Dimech (Valeta), Alex Muscat (Sliema), Drian Said (Marsaxlok).

Mesfushorë:
Gilbert Agius (Valeta), Roderick Briffa (Valeta), Andre Cohen (Hibernians), Ryan Fenech (Hamrun), Kevin Sammut (Marsaxlok), Andre Schembri (KarlZeiss, Gjermani).

Sulmues:
Michael Mifsud (Barnslei, Angli), Jean-Pierre Mifsud (Birkirkara), Terence Scerri (Hibernians)

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›