E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dallara BE duhet te fuqizoje burimet financiare

Europa ka nevojë të fuqizojë burimet e saj antikrizë, vendimet e fundit mbi këtë çështje janë zhgënjyese. Kështu afirmon drejtori i përgjithshëm i Institutit ndërkombëtar të Financave Charles Dallara, në një letër drejtuar FMN dhe BB në kuadër të takimit të javës së ardhshme. Sipas Dallaras, përgjegjësit politikë europianë duhet të zgjerojnë dimensionet e fondit kundër krizës. Rritja e dimensionit dhe fleksibilitetit të instrumentave kundër krizës është thelbësore për të siguruar tregjet se Eurozona ka burimet dhe angazhimet e duhura për mbështetjen e vendeve anëtare në përballimin e krizës. Kreu i Institutit financiar ndërkombëtar, në kuadër të takimit mes dy institucioneve më të larta financiare botërore si FMN dhe BB, shprehet se vendimi që u mor nga Ecofin muajin e kaluar për shtimin deri në 500 miliardë euro të Fondit Europian të Shpëtimit nuk është i mjaftueshëm për të përballuar vështirësitë e vendeve në krizë të Eurozonës. Instituti financiar ndërkombëtare që përfaqëson më shumë se 450 shoqëri financiare, gjykon se mekanizmi europian i stabilitetit ka nevojë për një nxitje të rëndësishme kryesisht në kuadër të angazhimeve emergjente të eurozonës për të vijuar me mbështetjen e vendeve anëtare në kuadër të programit të asistencës financiare deri sa të jenë në gjendje të futen në treg, me kusht që programet e tyre të shkojnë në rrugën e duhur. Shtimin e burimeve antikrizë, Charles Dallara e konsideron si një veprim kyc për t’i mundësuar FMN rritjen e fuqisë kredituese të saj, e cila do të kontribuojë në shpëtimin e stabilitetit financiar global në një moment kur ekonomia botërore duhet të përballet me sfidat e mëdha, përfshirë këtu edhe çmimet e naftës dhe dobësinë e tregut imobiliar. Letra e Dallarës i drejtohet ministrit të financave të Singaporit njëkohësisht president i këshillit drejtues të FMN dhe guvernatorit të Bankës qëndrore të Polonisë që është edhe homologu i tij në BB. Kreu i institutit ndërkombëtar financiar, i cili negocioni për shkëmbimin e bonove qeveritare greke në emër të kreditorëve privatë muajin e kaluar është shprehur se instituti po ndërton një komision të posaçëm për të nxjerrë mësime nga kjo përvojë dhe të propozojë masa për të fuqizuar praktikat lidhur me parandalimin e krizës së borxhit sovran dhe zgjidhjen e saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›