E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në sytë e fotografëve italianë

Ata sjellin pamje nga kultura popullore shqiptare, nga Shqipëria arkeologjike dhe turistike. Janë dy fotografët Giuseppe Savinio dhe Antonio Sigismondi. Kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë sjellë në vëmendje më të bukurën e saj. Peizazhe që përcjellin veriun dhe jugun e vendit, shkrepje mbresëlënëse, të cilat rrëfejnë Shqipërinë ndryshe. Një udhëtim i pazakontë mes imazheve të dy fotografëve italianë, të dy të dhënë pas natyrës. "Manufacta Viarum", fillimisht u prezantua në Itali. Në këtë ekspozitë, dy fotografët kanë paraqitur një pjesë të bukur dhe të lakmueshme të vendit përballë. E bënë këtë disa muaj më parë në një nga vendet më të bukura dhe më të vizitueshme prej turistëve në krahinën e Pulias. Në Kastelano, në një nga vendet më të bukura turistike në Itali, u prezantua edhe një pjesëz Shqipërie. Një shesh i veçantë kushtuar vendit tonë u ngrit verën që shkoi. Ekspozita u shoqërua dhe me një dokumentar të realizuar prej disa studentëve shqiptarë.

"Tirana, e ardhmja, e shkuara, e tashmja", si dhe ekspozita "Manufacta Viarum" do të shfaqen sot pasdite në Tiranë. Disa muaj pas realizimit të tyre, këto dy projekte të realizuara prej Interreg Itali-Shqipëri, do të shfaqen edhe para publikut shqiptar.

Projekti Interreg i titulluar "Forum, sheshi italian i kulturës shqiptare" është një nga 200 projektet e Interreg ku krahina e Pulias ka bashkëpunuar me shtetin shqiptar. "Forum" është koordinuar nga Komuna e Kastelanës, një qytezë e vogël në provincën e Barit, mjaft e famshme për shpellat e saj, ndër më të bukurat në botë. Ne zgjodhëm që në këtë vend turistik të nisnim një seri aktivitetesh, të cilat promovonin kulturën shqiptare. Mes këtyre aktiviteteve, ajo që na bën protagonist edhe sot në Tiranë, është një dokumentar me metrazh mesatar, i cili është përgatitur nga disa të rinj, studentë prej Tiranës. Ata morën pjesë në një kurs për realizimin e videove. Ky ishte një kurs formues, që më vonë bëri të lindte edhe shkëndija për realizimin e këtij dokumentari që u titullua "Tirana, e ardhmja, e shkuara e tashmja". Ne sot e prezantojmë me shumë kënaqësi dhe entuziazëm në Tiranë, që do të thotë se fara e mbjellë me projektin Interreg është duke nxjerrë frytet e saj, duke e vazhduar këtë shkëmbim kulturor", tregon Vito Mastrosimini, koordinator i projektit. Ai, së bashku me regjisorin Massimo Lapertosa dhe drejtori i fotografisë Mimmo Migailo janë sot në Tiranë për ekspozitën dhe shfaqjen e dokumentarit.

"Këtu ne kemi ardhur për të prezantuar dy aktivitete. Ekspozitën, e cila ishte një fushatë e vërtetë fotografike me titullin ‘Manufacta Varium‘, në një udhëtim në vendet natyrore, një prezantim me bukuritë e Shqipërisë, por mbi të gjitha mbi artizanatin që zhvillohet ende në vendin tuaj. Në këto punime artizanale ne kemi gjetur një të përbashkët mes dy vendeve tona, një pikë më shumë që bashkon kulturën tonë. Në punimet e artizanëve shqiptarë ne gjetëm një pikë tepër të afërt me vendin tonë, me punimet tona artizanale", tregon më tej koordinatori i projektit. Ai shpjegon se ekspozita e cila do të çelet nesër është e përbërë nga imazhe të shkrepura prej dy fotografëve italianë, të cilët janë të dhënë pas peizazheve. Ata janë fotografë natyralistë. Të dhënë pas natyrës dhe bukurisë së paprekur të saj. Antonio Sigismondi është i njohur për lëvizjet e tij në mbrojtje të natyrës. E shkrepjet e tij reflektojnë se sa shumë e do ai atë. "Manufacta Viarum" u realizua nga dy fotografët italianë. Ekspozita e tyre në vendin fqinj u shoqërua edhe me një katalog, i cili përmban fotografitë e ekspozitës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›