Shqipëria në vendin e 15-të në botë për sigurinë kibernetike, Vëngu: Inovacioni do hyjë në ADN-në e çdo aktiviteti të Forcave të Armatosura

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, ka vlerësuar ngjitjen e Shqipërisë në vendin e 15-të në botë në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI), duke e cilësuar këtë si një arritje që forcon përkushtimin për të avancuar më tej në mbrojtjen digjitale të vendit.
Në një mbledhje të zhvilluar në Komandën Kibernetike dhe Ndërlidhjes, Vëngu bashkë me drejtues të strukturave të sigurisë kibernetike detajuan planin e rritjes së kapaciteteve, me synimin që inovacioni dhe teknologjia të bëhen pjesë thelbësore e çdo investimi modernizues në Forcat e Armatosura.
“Ngjitja e Shqipërisë në vendin e 15 në botë në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI) na bën edhe më të motivuar për të rritur kapacitetet dhe mbështetjen në fushat e sigurisë së informacionit, infrastrukturës dhe mbrojtjes kibernetike. Sot në Komandën Kibernetike dhe Ndërlidhjes, si qendër rëndese e strategjisë “Mbrojta 2030”, detajuam planin e rritjes së kapaciteteve në mënyrë që inovacioni të hyjë në ADN-në e çdo investimi modernizues në të gjithë spektrin e aktivitetit ushtarak dhe civil të Forcave të Armatosura”, shkruan Vëngu.
Më herët, një raport i National Cyber Security Index (NCSI), renditi Shqipërinë në vendin e 15-të në botë në fushën e sigurisë kibernetike. Shqipëria është renditur me 85 pikë në vendin e 15-të, duke shënuar një ngritje prej 39 pozicionesh krahasuar me vitin 2023, kur vendi ynë ishte në vendin e 54-të me 62.34 pikë.
Sipas raportit Shqipëria ka përditësuar kuadrin ligjor, janë miratuar akte nënligjore të reja, ka një strategji kombëtare, plan veprimi funksional dhe është konsoliduar roli i AKSK si autoritet qendror për sigurinë kibernetike.
/rtsh.al/