Shqipëria, në vendin e 21 në botë për qeverisjen e mirë dhe masat antikorrupsion

Sipas një raporti të organizatës ndërkombëtare “Global Integrity 2010”, vlerësimi i vitit 2010 për Shqipërinë përgënjeshtron propagandën se vendi është një çerdhe korrupsioni dhe e vlerëson atë në vendin e 21-të, mes 105 vendeve të testuara
Organizata ndërkombëtare “Global Integrity 2010” e rendit Shqipërinë në vendin e 21 në raportin e vlerësimit për 105 vende të botës për qeverisjen e mirë dhe masat antikorrupsion. Në raportin studimor, ky organizëm ndërkombëtar vlerëson Shqipërinë me 74 pikë nga 100 pikë maksimale. Raporti vlerëson se Shqipëria ka një sistem mjaft të fuqishëm për të mbështetur transparencën dhe drejtësinë e prokurimit publik.
Në raportin e bërë dje publik, mësohet se, “Vlerësimi i ‘Global Integrity 2010’ për Shqipërinë iu shërben gjetjeve kundërintuitive, duke vënë në pikëpyetje urtësinë tradicionale se vendi është një çerdhe e korrupsionit”.
Raporti i “Global Integrity 2010”, nuk lë pa evidentuar edhe shenja të tjera të përmirësimit apo shfaqje relativisht të dukshme në fusha të veçanta të një strukture të mirë të qeverisjes në Shqipëri.
“Shqipëria, për shembull, ka një sistem mjaft të fuqishëm në vend për të mbështetur transparencën dhe drejtësinë e prokurimit publik. Përveç kësaj, roli i OJQ-ve antikorrupsion mbetet i prekshëm, dhe zbatimi i ligjeve tatimore dhe doganore është përmirësuar ndër vite. Kuadri i përgjithshëm ligjor i sistemit të antikorrupsionit dhe i qeverisjes së mirë në Shqipëri është mjaft i fortë, por duhet të rriten në mënyrë të konsiderueshme përpjekjet për të mbyllur hendekun e madh me zbatimin e ligjit në mënyrë që të ketë përparime të mëtejshme”, thuhet në raportin e “Global Integrity 2010”.
Raporti i “Global Integrity 2010” mbulon vendet e zhvilluara si Kanadaja dhe Italia, si dhe gjithashtu dhjetëra tregje në botë të vendeve në zhvillim nga Shqipëria në Kamerun e në Tanzani. Më tepër sesa perceptimet e masës së korrupsionit, raporti nëpërmjet më shumë sesa 300 “Treguesve të integritetit” vlerëson mekanizmat përgjegjëse dhe masat e transparencës në vend (ose jo) për të parandaluar korrupsionin, si dhe raportimin gazetaresk të korrupsionit. Mungesat në ato masa tregojnë se ku ka më shumë gjasa të ketë korrupsion.
Raporti i “Global Integrity” është rezultat i një pune disamujore për raportime drejtpërdrejt nga terreni dhe mbledhje të dhënash nga një skuadër prej më tepër se 150 gazetarësh dhe studiuesish nga terreni të cilët përgatitën raporte me pothuajse 1 milion fjalë dhe 10.000 të dhëna rreth vendeve të tyre.
“Global Integrity” është një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse lider në vëzhgimin e trendeve mbi qeverisjen dhe korrupsionin në mbarë botën. Duke punuar me një rrjet prej më se 1.200 gazetarësh dhe kërkuesish vendas në më tepër se 100 vende të ndryshme, kjo organizatë synon ti japë formë dhe të përditësojë debatin mbi reformat e qeverisjes dhe antikorrupsionit nëpërmjet mjeteve diagnostikuese të hollësishme në nivel kombëtar, nënkombëtar dhe sektorial. Informacioni i organizatës “Global Integrity” përdoret rregullisht nga donatorë, shoqëria civile, investitorë si dhe qeveri, të përfshirë në reformat qeverisëse si në vendet e zhvilluara ashtu dhe ato në zhvillim.