E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tirana e Edi Ramës, ndër qytetet më të korruptuara evropiane”

05-05-2011 / Gazeta 55

Mesila Doda, deputete e PD-së

Deputetja e Partisë Demokrate, Mesila Doda përmes një deklarate për mediat ka deklaruar dje se keqqeverisja e kryebashkiakut Edi Rama e rendit në Tiranën ndër kryeqytetet më të korruptuara të Europës. Përmes këtij komunikimi me mediat, deputetja e partisë Demokratike, Doda akuzoi kryebashkiakun aktual Edi Ramën për keqqeverisje lokale dhe mungesë transparence ndaj taksave  nga ana e Bashkisë së Tiranës. Ajo theksoi gjithashtu se problematikat kryesore në drejtimin e Tiranës është mos transparenca ndaj taksave dhe mungesa një plani urbanistik për metropolin shqiptar.
“Tirana sot renditet ndër kryeqytetet më të korruptuara europiane. Ky është qyteti, i cili sot vuan nga një mungesë e theksuar transparence në përdorimin e taksave të mbledhura, në ofertat dhe nënkontraktuesit e Bashkisë së qytetit, dhe veçanërisht në lëshimin e lejeve të ndërtimit”, deklaroi  deputetja demokrate Doda.
Ajo theksoi se pajisja me një leje apo licencë në Tiranë, kërkon më shumë kohë dhe ka më shumë kosto se në çdo kryeqytet tjetër. Ajo iu referua faqes së internetit të bashkisë së Tiranës, duke u shprehu se për të marrë një leje ndërtimi në këtë bashki të duhen mesatarisht 336 ditë, që siç tha deputetja Doda është rreth dhjetë here më shumë kohë pritje se në çdo qytet tjetër.
Më tej në këtë deklarate, deputetja demokrate, Doda theksoi se ky fenomen shoqërohet edhe me përqendrimin e të gjithë pushtetit në duart e bashkisë qendrore dhe refuzimin për t’i dhënë kompetencat që u takojnë 11 njësive bashkiake. Ndërkohë duke folur për mungesën e planit urbanistik, deputetja e Partisë Demokratike tha se kjo ka sjellë një zhvillim kaotik dhe keqadministrim të hapësirës urbane, si edhe efekte negative në cilësinë e jetës së banorëve të qytetit.
Deputetja Mesila Doda iu referuar studimit të “Doing Business”, për performancën e 22 qyteteve të Ballkanit, duke evidentuar se “Tirana renditet e 16-ta, pas Shkodrës, Prizrenit, Prishtinës, Podgoricës, apo Shkupit”. Ajo e cilësoi si një shqetësim të madh për qytetin e Tiranës, qeverisjen e keqe lokale dhe mungesën e transparencës nga ana e Bashkisë së Tiranës e cila është nën drejtimin e kryebashkiakut Edi Rama duke shtuar gjithashtu se kjo mënyrë qeverisjeje shkakton impakt negativ në të gjitha aspektet e jetës, ndaj ndryshimi është i domosdoshëm.
Duke përfunduar këtë deklaratë për mediat, deputetja demokrate Doda i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës se kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka si qëllim parësor qeverisjen e mirë dhe transparente të Tiranës. “Qeverisja e mirë dhe transparente është qëllim parësor i programit të zotit Basha, i cili ka një vizion të qartë për t’ia kthyer Tiranën qytetarëve të saj. Ky është kryebashkiaku që i duhet qytetarëve të Tiranës”, theksoi në përfundim të fjalës së saj deputetja demokrate Doda.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›