Shqiperia ne zi, u jepet lamtumira kater Deshmoreve te Atdheut
Dje Shqipëria gjendej e gjitha në ditë zie, në shenjë nderimi të katër punonjësve të Policisë, të cilët mbetën të vrarë gjatë një aksioni për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Falë një udhëzimi të posaçëm të qeverisë, trupat e Fatos Xhanit, Altin Dizdarit, Sajmir Duçkollarit dhe Kastriot Feskas u nderuan dje nga personalitete të larta të kombit, por edhe qytetarë të thjeshtë përmes homazhesh në mjediset e Pallatit të Kongreseve, ndërsa varrimi i tyre u bë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Altin Dizdari, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari dhe Kastritot Feska, 4 dëshmorët e atdheut, u ndanë përgjithmonë nga jeta, nga familjet, të afërmit dhe miqtë; dorëzuan detyrën tek kolegët e tyre për të fundit herë, mision për të cilin dhanë dhe frymën, për t’u prehur në paqe. Qindra mijëra qytetarë kanë nderuar aktin sublim të katër dëshmorëve në një ceremoni zyrtare të mbajtur në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet dhe janë përkulur me respekt dhe dashuri para arkivoleve me trupat e pajetë të Altinit, Fatosit Sajmirit dhe Kastriotit dhe kanë ngushëlluar familjarët dhe miqtë e tyre në këtë ditë zie kombëtare, të pushtuar nga dhimbja dhe lotët. Katër dëshmorët e atdheut u nderuan edhe nga personalitete të larta të shtetit, përfaqësues të opozitës dhe trupit diplomatik. Të përlotur, krerët e shtetit shprehën ngushëllimet më të thella për familjarët, miqtë dhe të afërmit e djemve që u flijuan në emër të sigurisë dhe mbrojtjes së shtetit.
Kolegët
Me qindra policë të thjeshtë janë rreshtuar dje për t’u dhënë lamtumirën e fundit kolegëve të tyre. Pikëllimi, ankthi dhe revolta më e madhe lexohej në fytyrat e tyre të dëshpëruara. Për ta, e premtja ishte e zezë, ndërsa e shtuna ishte e papërballueshme, e papranueshme. Ngjarja e rëndë ka shkaktuar një ndjenjë të thellë revolte brenda radhëve të uniformave blu, megjithatë ata dje janë ngushëlluar sadopak nga mesazhet inkurajuese të krerëve të shtetit, që u përpoqën sadopak të mbështetnin, të paktën verbalisht, punën e vështirë të policisë në përballjen me krimin vendas. “Ngushëllime të sinqerta për familjen dhe shpreh solidaritetin tim të plotë për forcat e rendit për të gjithë ata që punojnë për vendosjen e rendit në çdo qelizë”, - u shpreh presidenti Bamir Topi dje gjatë ceremonisë.
Solidariteti
Edhe kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, shprehu ngushëllimet e saj për këtë humbje. Ndërsa kryeministri u shpreh se jeta e tyre u ndal nga dora kriminale, por forca e ligjit mbi kriminelët nuk do mund të ndalet kurrë. “Ata ranë në një operacion ndaj njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm. Humbja e jetës së tyre është e rëndë dhe e dhimbshme, por heroizmi i tyre, sakrifica është dëshmi e një vullneti të hekurt të policisë”, - tha Berisha, duke premtuar ndëshkim për këtë bandë. Edhe përfaqësuesja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, shprehu tronditjen e thellë për humbjen e madhe që kanë jo vetëm familjarët e miqtë, por edhe koleget dhe forcat e Policisë. Rreth orës 13:00, trupat e pajetë të katër efektivave të Policisë, djemve që nuk kursyen as frymëmarrjen e tyre të fundit për atdheun janë përcjellë drejt Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut për t’u prehur që prej ditës së sotme në paqe. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte rruga e tyre e fundit drejt banesës ku do të prehen përjetësisht në paqe. Në ceremoninë zyrtare në Varrezat e Dëshmorëve në kryeqytet, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, mbajti fjalën në nderim të jetës dhe veprës heroike të 4 efektivave të Policisë që ranë në krye të detyrës. Kreu i uniformave blu nënvizoi se ngjarja e rëndë nuk do ta lëkundë besimin dhe forcën e policisë në luftën kundër krimit të organizuar.
Zi kombëtare, institucionet shtetërore ulin flamujt në gjysmështizë
Flamujt në të gjitha institucionet shtetërore u ulën në gjysmështizë. Në orën 12:00, në nderim të viktimave, u ndërpre çdo veprimtari dhe u mbajt një minutë heshtje në të gjitha institucionet publike. Duke e quajtur të premte të zezë, kryeministri Berisha shprehu, në emër të qeverisë, ngushëllimet për familjet e katër policëve të vrarë, ngushëllime për forcat e rendit dhe mbështetje për të vazhduar luftën dhe betejën ndaj krimit. Me urdhër të Këshillit të Ministrave, dje e gjithë Shqipëria ishte në ditë zie për humbjen e katër heronjve të forcave të rendit, që në krye të detyrës për të kapur kriminelin më të kërkuar, Dritan Dajti, u ndanë nga jeta duke lënë të vetme familjet e tyre.
Ilir Meta: “Prokuroria të bëjë një hetim të thelluar të ngjarjes”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Petrit Vasili, zhvilloi dje homazhe në nderim të katër punonjësve të Policisë së Shtetit. Ai shprehu ngushëllimet për ngjarjen e rëndë, ndërsa kërkoi që Prokuroria të nisë një hetim të thelluar për zbardhjen sa më parë të kësaj tragjedie. “Shpreh tronditjen e thellë për ngjarjen e ndodhur ku humbën jetën e katër punonjës të Policisë së Shtetit. Sot bashkohemi me dhimbjen e familjarëve duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera dhe të sinqerta për humbjen e jetëve të familjarëve të tyre. Është momenti që të merren masat dhe të realizohet një hetim i thelluar dhe të shpejtë nga ana e Prokurorisë për zbardhjen e kësaj veprimtarie kriminale shumë të rrezikshme”, - është shprehur kryetari i LSI-së, Meta.
PDI-ja ngushëllon familjarët e policëve të rënë në detyrë
Partia për Drejtësi dhe Integrim ka shprehur dje ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjarët e katër punonjësve të Policisë së Shtetit që humbën jetën një ditë më parë gjatë një operacioni në kapjen e një krimineli të kërkuar. Në një njoftim për mediat PDI-ja mbështet punën e policisë në luftë kundër krimit të organizuar dhe angazhohet për një Shqipëri pa kriminelë. “Partia për Drejtësi dhe Integrim në këto momente të vështira për familjarët që humbën të dashurit e tyre, policia kuadrot e zotë e trima që qëndruan në vijën e parë në luftën kundër kriminalitetit; i shpreh ngushëllimet e sinqerta dhe shpreh besimin se shteti ligjor do të triumfojë dhe Shqipëria nuk do të ndalet në luftën e saj integruese. PDI-ja, si pjesë e koalicionit qeverisës, do të angazhohet me të gjitha forcat dhe kapacitetet për një Shqipëri europiane, pa krim dhe kriminelë”, - shkruhet në njoftimin për shtyp të PDI-së.
10 Gusht 2009