Berisha: “Krimi i organizuar do të marrë përgjigjen e merituar”
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e homazheve për katër anëtarët e vrarë të Policisë së Shtetit. Pas nderimit të trupave të pajetë të katër dëshmorëve të atdheut, Berisha tha se krimi do të marrë përgjigjen e merituar dhe ndëshkimin më të madh nga organet e Drejtësisë. “Ky krim i shëmtuar i një bande kriminale, e cila do të marrë ndëshkimin më të madh nga organet e Drejtësisë, kam bindjen më të thellë se nuk do të cenojë aspak vendosmërinë e forcave tona të rendit për t’u dhënë kriminelëve dhe krimit të organizuar përgjigjen me zero tolerancë, sikundër deri sot. Ai ia doli të këpusë jetët e tyre, por verdikti dhe ligji do të veprojnë ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij me ashpërsinë më të madhe”, - është shprehur Berisha, ndërsa ngushëlloi familjet e policëve të rënë në krye të detyrës.
Ali Ahmeti, mesazh ngushëllimi për policët e rënë
Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, me anë të një telegrami, ka ngushëlluar familjet Xhani, Dizdari, Duçkollari, Feska, si dhe kryeministrin shqiptar Berisha për rënien në krye të detyrës së katër anëtarëve të Policisë së Shtetit. Në ngushëllimin e tij Ahmeti u shpreh se lufta kundër krimit të organizuar dhe funksionimi i shtetit ligjor shpeshherë ka pasur çmim të lartë dhe ka marrë haraçin në gjak. “Duke qenë bashkë në këto momente pikëllimi, më lejoni, të nderuar, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të përzemërta dhe ju lutemi që të mos jepeni, dhimbjen ta shndërroni në forcë dhe të jeni krenarë se Fatosi, Altini, Saimiri dhe Kastrioti edhe në momentin e rënies ishin në anën e së mirës dhe në luftë kundër së keqes, ishin në shërbim të nderit dhe autoritetit të familjeve të tyre, të popullit tonë dhe të shtetit shqiptar”, - shkruan Ahmeti.
Presidenti Topi kërkon hetim për zbardhjen e tragjedisë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi dje në mesditë veprën heroike të katër punonjësve të Policisë të rënë dje gjatë operacioni ku humbën jetën. Pas homazheve në
Pallatin e Kongreseve, presidenti Topi u shpreh për mediat se institucionet e specializuara duhet të bëjnë sa më parë zbardhjen e plotë të tragjedisë ku humbën jetën katër punonjësit e Policisë së Shtetit. “Do të nxisja me shumë forcë të gjitha institucionet e specializuara që të bëjnë sa më shpejt zbardhjen e plotë të këtij momenti tragjik, për të dhënë edhe një herë mesazhin e fortë që duhet të vijë nga çdo institucion për vendosjen kudo të ligjit, në çdo lloj strukture të shtetit shqiptar”, - është shprehur Topi, i cili shtoi se krimi i organizuar është bërë edhe më i sofistikuar. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e të rënëve dhe solidaritetin me forcat e rendit.
Topalli: “Policia e Shtetit dëshmoi sakrificë në luftën kundër krimit”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e pranishme në ceremoninë e djeshme mortore të katër punonjësve të Policisë së Shtetit, deklaroi për mediat se kjo polici dëshmoi edhe njëherë ndenjën e sakrificës në luftën kundër krimit. Topalli bëri homazhe pranë trupave të pajetë të punonjësve të Policisë dhe ngushëlloi familjarët, ndërsa i cilësoi të rënët heronj të Shqipërisë. “Sot e gjithë Shqipëria nderon katër djemtë e saj efektivë të Policisë së Shtetit. Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feska janë heronjtë tanë. Në këto momente të vështira ne të gjithë shprehim ngushëllimet për familjet e tyre, mbështetjen, solidaritetin me Policinë e Shtetit, që tregoi edhe një herë vullnetin, por dëshmoi dhe sakrificën në luftën kundër krimit”, - u shpreh për mediat kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Presidenti i Kosovës, Sejdiu, dërgon mesazh ngushëllimi
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, u ka dërguar telegrame ngushëllimi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha, të cilëve u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta të popullit dhe të institucioneve të Kosovës për vrasjen e katër policëve të shtetit shqiptar. “Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vrasjen mizore të katër policëve, të cilët dhanë jetën e tyre në qytetin e Durrësit, për të mbrojtur lirinë, dinjitetin njerëzor, paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, - shkruhet në mesazhin e Sejdiut. Ai gjithashtu ka shprehur respekt për luftën pa kompromis të shtetit shqiptar kundër krimit të organizuar që cenon lirinë, sigurinë dhe të ardhmen europiane të qytetarëve të rajonit.
Leskaj bën apel për mbështetjen e forcave të rendit
Përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste ishin të pranishëm dje në ceremoninë mortore të katër punonjësve të Policisë. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, mori pjesë në ceremoninë e homazheve në nderim të katër dëshmorëve të atdheut, që u zhvillua dje në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Leskaj, e pranishme në këtë ceremoni, nderoi trupat e pajetë të katër punonjësve të Policisë së Shtetit që humbën jetën gjatë një operacioni në kapjen e një krimineli të kërkuar. Leskaj u shprehu ngushëllimet e saj dhe të Partisë Socialiste familjarëve të policëve të rëndë, ndërsa bëri apel për mbështetjen e punës së forcave të rendit. Leskaj ishte e pranishme edhe në ceremoninë e përcjelljes së katër policëve në banesën e fundit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
10 Gusht 2009