E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtatë super të kërkuarit që ishin në të njëjtën listë me Dritan Dajtin



Laureta Rryçi
Dritan Dajti ishte shënjestruar nga Policia e Shtetit si një nga tetë shqiptarët më të kërkuar nga Drejtësia shqiptare. Fotoja e tij ishte mëse e dukshme në faqen zyrtare të policisë po aq sa dhe e shtatë të tjerëve. Por, ndërsa kostoja për arrestimin e tij për Policinë e Shtetit është katër “Dëshmorë Kombi”, natyrshëm lind pyetja se çdo të ndodhë me efektivat e Policisë kur të arrestohen shtatë super të kërkuarit e tjerë. Të gjithë mbajnë mbi supe burgime të përjetshme të dhëna në mungesë dhe histori vrasjesh të më shumë se një personi. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm personazhet që janë renditur nga Policia si më të kërkuarit.
Më të kërkuarit
Në majën e listës së të kërkuarve qëndrojnë 8 persona, të cilët janë dënuar për vepra të rënda penale, një ose disa vrasje. Këta persona kanë marrë thuajse të gjithë vendime të formës së prerë dhe janë dënuar për krime të rënda. Ndër ta renditen Gentian Tako, i kërkuar për vrasje, dënuar me burgim të përjetshëm; Marjan Rroku, që akuzohet për vrasje të dyfishtë, dënuar me burgim të përjetshëm; Ndriçim Sadushi, i akuzuar për vrasje dhe krijimin e bandës së armatosur, dënuar po me burgim të përjetshëm; Besnik Shahaj, dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të katërfishtë; Ismet Oruçi, i cili ka kryer po vrasje të katërfishtë. Burimet policore thanë se të tjerët janë Petrit Agaçi, Gjovalin Lesi, të gjithë të dënuar për vrasje, si dhe David Gjokeja, dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë.
Kërkimi
Jo rrallëherë u ka ndodhur zyrave të Interpolit në shtetet e huaja që emrat e të kërkuarve shqiptarë t’u mbeten në xhepa apo në shkresa të futura në sirtarë. Kjo jo se agjentët e Interpolit nuk kanë mundur të bëjnë punën e tyre, por për faktin se shqiptarët kanë ditur t’u shpëtojnë prangave duke u fshehur apo dhe dyshohet se kanë kryer operacione plastike. Sipas një raporti të zyrës së Interpolit në Ministrinë e Brendshme, bëhet e ditur se shumë të kërkuar shqiptarë kanë kryer operacione plastike në fytyrë. Duke i shtuar kësaj edhe ndryshimin e identitetit, ata u kanë shpëtuar prangave.

Marjan Rroku
Ish-punonjësi i SHIK-ut, dyshohet të jetë vrasësi i një vajze dhe nënës së saj, vazhdon të jetë pjesë e kësaj liste të kërkuarish prej më shumë se 6 vitesh. Edhe ai mendohet të jetë jashtë vendit, ndoshta në Amerikë. Por jo vetëm nga Policia shqiptare. Emri i Marjan Rrokut ekziston edhe në listën e personave më të kërkuar në SHBA. Mendohet se ai fshihet në një nga shtetet e Amerikës, por ende nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.

David Gjokeja

Gjokeja, 37 vjeç, nga fshati Derven i Krujës, është gjetur fajtor se më datë 18 qershor 2005, pranë fshatit Gjyricë të komunës Ishëm të Durrësit, së bashku me dy vëllezërit e tij, Kastriot dhe Arben Gjokeja, kanë vrarë për probleme hasmërie kushërinjtë e tyre, Eduard e Oligert Gjokeja, si dhe kanë plagosur rëndë Simon Gjokejën. Sipas vendimit të gjykatës, tre vëllezërit Gjokeja kishin organizuar pritë ndaj kushërinjve të tyre dhe në momentin që ata ishin afruar, i kanë qëlluar me breshëri automatiku. Tashmë për këtë krim, veç Arbenit, në qeli ndodhet edhe vëllai i tij, Kastrioti, ndërsa Davidi është shpallur person në kërkim dhe ende nuk ka rënë në pranga. Ai vazhdon të jetë një ndër 10 personat më të kërkuar.

Ilir Gavoçi dhe Ismet Oruçi
Të akuzuar për vrasjen e katër të rinjve shkodranë mbrëmjen e 16 shtatorit të vitit 2006. Sipas kërkesës për gjykim, pronari i tavernës "Olalba" Ilir Gavoçi dhe truproja i lokalit, Ismet Oruçi, kanë konsumuar veprat penale të "vrasjes në kushte të tronditjes së rëndë psikike" dhe "mbajtje pa leje të armëve luftarake", në bashkëpunim.

Gentian Xheladin Take, i kërkuar për vrasje, dënuar me burgim të përjetshëm.

Marjan Rrok Rroku, vrasje të dyfishtë, dënuar me burgim të përjetshëm.

Ndriçim Myrteza Sadushi, vrasje dhe bandë e armatosur, dënuar me burgim të përjetshëm.

Besnik Jashar Shahaj, vrasje të katërfishtë, dënuar me burgim të përjetshëm.

Aleksandër Polizoi Zhulati, i datëlindjes 03.05.1980, nga Berati. Shpallur në kërkim pasi është dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të vrasjes.

Gjovalin Ndue Lesi, vrasje të dyfishtë, dënuar me burgim të përjetshëm.

David Ded Gjokeja, i ditëlindjes 20.12.1967, nga Kruja (Derven). Gjykata e rrethit të Durrësit, me vendim të datës 08.11.2006, e ka dënuar këtë shtetas me "burgim të përjetshëm" për vrasje të dyfishtë.

10 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›