E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, jashtë skemave të standardit politik - shpresa e vetme, largimi i Ramës

Zgjidhja e ngërçit, socialistët thonë se mund të bëhet vetëm me dorëheqjen e kryetarit në detyrë

Edi Rama, në prag të largimit nga drejtimi i Partisë Socialiste, është kthyer në figurën më të padëshirueshme, për të gjithë anëtarët dhe zyrtarët e kësaj partie.
Simpatizantë dhe përfaqësues të lartë të partisë opozitare konsiderojnë të turpshme aktin vandal të Edvinit, i cili për 6 muaj me radhë nxori partinë jashtë linjave të standardit politik, thjesht e vetëm se nuk ia doli të fitonte parlamentaret e 28 qershorit 2009.
Turpi për Edvinin, nuk mbaron me kaq.
Edhe pas thyerjes së bojkotit, dyshohet fort se PS, do të vazhdojë të qëndrojë jashtë dyerve të Kuvendit, këtë herë me një alibi tjetër, atë të marrjes në shqyrtim të drafteve të depozituar të enjten e shkuar në parlament, të cilat nuk janë asgjë tjetër, veçse ecejake të momentit për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit publik nga ajo që ai i shkaktoi jo vetëm vendit më të rëndësishëm të debatit politik dhe tempullit të demokracisë, siç është parlamenti, por edhe cenimin e aspiratave të Shqipërisë në proceset e integrimit evropian.
Burime pranë selisë rozë thonë për “55”-n se rruga e ndjekur nga Edi Rama, është jo vetëm e gabuar, por me dyfish kosto për stadin e Partisë Socialiste. Anëtarë të kryesisë dhe deputetë të partisë opozitare, ngulmojnë që Edi Rama të japë dorëheqjen e parevokueshme dhe t’u kërkojë falje të gjithë shqiptarëve për sajesat e turpshme, duke përbaltur zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.
Ata e shohin zgjidhjen e ngërçit, vetëm tek largimi i Ramës nga drejtimi i partisë.
Një fakt të tillë e ka bërë thuajse konkret një prej anëtarëve të Asamblesë së PS, Ylli Manjani. Manjani hodhi një sërë akuzash ndaj kreut të PS-së Edi Rama duke e bërë edhe përgjegjësin kryesor për krizën politike. Ai theksoi se zgjidhja e krizës do të ishte vetëm nëse kreu i PS-së Rama do të dorëhiqej nga posti i kryetarit të PS-së.
Sipas tij, Partia Socialiste drejtohet dhe orientohet gabim politikisht nga Rama dhe se korrigjimi i krizës është në qoftë se ai merr përgjegjësitë duke dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit që e mban në mënyrë të parregullt.
Edhe më herët, Ben Blushi dhe Andis Harasani janë shprehur se bojkoti i ka shërbyer vetëm interesave të Edi Ramës, ndërsa ka penalizuar rëndë PS-në dhe ka zbehur frikshëm mbështetjen e saj në elektorat.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›