E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria nën presionin e krizës, por rritja ekonomike mbi 3%

Ekonomia shqiptare ndodhet nën presionin e krizës së vendeve fqinjë dhe disa zhvillimeve në vend, por rritja ekonomike edhe për gjashtëmujorin e dytë do të jetë pozitive dhe mbi ritmet 3 për qind. Situacioni më i fundit për zhvillimet ekonomike në vend u bë i njohur dje nga Banka e Shqipërisë në raportin e politikës monetare për muajin korrik. Nëse në pjesën e parë të vitit rritja ishte nxitur kryesisht nga investimet e qeverisë, për gjysmën e dytë Banka e Shqipërisë pret një rritje të aktivitetit dhe rolit të sektorit privat në rritjen ekonomike. Sipas institutit të Statistikave, rritja ekonomike në 3-mujorin e parë të këtij viti ishte 3.4%, ndërkohë që Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se edhe në 3-mujorin e dytë rritja ekonomike duhet të ketë qenë në vlera të ngjashme. Ky projeksion qëndron në mes të rrugës mes pritshmërive pozitive të qeverisë shqiptare dhe atyre më të zymta të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ekonomia vendase, sipas Bankës së Shqipërisë, ka shfaqur dukshëm shenja pozitive të rritjes, të cilat nga ana tjetër nuk janë duke gjeneruar punësim. Arsyet kryesore lidhen me zhvillimet pozitive që ka përçuar sezoni turistik, rritja e investimeve në këtë periudhë, rritja e eksporteve dhe rritja e fuqisë blerëse, duke dhënë kështu një panoramë të përmirësimit të të gjithë treguesve ekonomikë në vend. Ndonëse pozitiv, ritmi i rritjes ekonomike duket se është i pamjaftueshëm për të prodhuar një përmirësim të qenësishëm në tregun e punës dhe në uljen e papunësisë. Ndonëse niveli i papunësisë qëndroi thuajse i pandryshuar në nivelin 13.8%, rritja e aktivitetit në sektorin e industrisë dhe të shërbimeve ka rritur nivelin e punësimit në vend. Megjithatë, dinamika e këtyre treguesve është më pak inkurajuese, krahasuar me periudhën para tremujorit të fundit të vitit 2008, vlerëson Banka e Shqipërisë. Po kështu, qëndrueshmëria e rritjes ekonomike mbetet e brishtë në periudhën afatshkurtër.

Parashikimet e BSH

-Rritja e dobët e partnerëve tanë tregtarë do të japë një mbështetje me të vogël për ecurinë e eksporteve.

-Vështirësitë në tregun e punës pritet të ndikojnë te remitancat.

-Rënia e çmimeve të produkteve bazë, në tremujorin e dytë të vitit, pritet të reduktojë presionet e inflacionit të importuar për disa produkte jetike në Shqipëri.

-Gatishmëria e investitorëve për të investuar në vendet e Rajonit mbetet e ulët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›