E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, rritja e taksave uli të ardhurat

Ndërhyrjet e njëpasnjëshme në sistemin fiskal duket se nuk po japin frytet e parashikuara nga qeveria. Shembulli konkret janë të ardhurat nga akciza dhe tatimi mbi fitimin. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, për periudhën 7-mujore të vitit, të ardhurat në buxhetin e shtetit nga këto dy zëra janë në total 121 milionë lekë më pak se planifikimi. Në janar 2011 pati një rritje të taksës, ku për çdo paketë cigare paguhet 20 lekë më shumë akcizë. Në parim, një rritje e tillë e akcizës për cigaren me rreth 40 për qind (ishte 50 lekë për paketë, u bë 70 lekë) pritej të rriste edhe të ardhurat në buxhet. Por kjo gjë nuk ndodhi, përkundrazi ato u ulën. Përgjatë 7 muajve të këtij viti, buxheti i shtetit mësohet të ketë mbledhur rreth 42 milionë lekë nga akcizat. Gjatë këtij viti vihet re rritje e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin në krahasim me vitin 2010, por kemi një mosrealizim të planit të këtij viti me 79 milionë lekë. Gjithashtu, me rritje paraqiten dhe të ardhurat nga tatimi i vlerës së shtuar, ku janë mbledhur 65 milionë lekë më shumë se plani i fillim vitit. Ndërsa, krahasuar më një vit më parë, këto të ardhura janë më rënie prej 363 milionë lekë. Duke qenë se TVSH është tatim mbi konsumin, të ardhurat e qeverisë prej saj tregojnë se konsumi i shqiptarëve ka rënë në krahasim me vitin e shkuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›