Kryedoganieri Gjymishka: Ja Procedura e re e zhdoganimit të makinave
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka, ka pohuar për gazetën MAPO se është përgatitur e gjithë infrastruktura e nevojshme për heqjen e doganës për automjetet.
Autoritetet doganore kanë përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e ligjit të ri për heqjen e doganës së makinave, duke nisur nga dita e sotme. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka ka pohuar për gazetën MAPO se është përgatitur e gjithë infrastruktura e nevojshme për zbatimin e menjëhershëm të tij nga dita e sotme. Për këtë qëllim, ai tha se ekspertët e IT-së, nga ora 9 deri në orën 12 të natës së mbrëmshme kanë bërë ndryshimet e nevojshme në sistem, me qëllim që ligji të nisë zbatimin pa asnjë pengesë që sot, në të gjithë vendin dhe në të njëjtën kohë. Drejtori i Doganave tha se me informatizimin e sistemit doganor ka rënë ndjeshëm burokracia e zbatimit të ligjeve të reja në pikat doganore. Ai tha se, kur ka ndryshime tarifash, ato reflektohen menjëherë në sistem, duke eliminuar kështu gabimet njerëzore që ndodhnin më parë gjatë zbatimit të ligjeve të reja. Gjymishka tha se në sistemin informatik të doganave njëherazi me tarifat e makinave po ndryshohen edhe tarifat për importin e veshjeve, të cilat nga 10 për qind që janë aktualisht me ndryshimet ligjore bëhen zero. Ligji për heqjen e doganës së makinës që u botua 15 ditë më parë në Fletoren zyrtare hyn sot në fuqi. Ajo që ndryshon në ligjin e ri është se, nëse tani qytetari që importonte një automjet e paguante menjëherë detyrimin në doganë, taksa e re e shtrin atë në vite. Paralelisht me doganën dhe taksën e shitjes, brenda vendit do të hiqet edhe taksa e qarkullimit dhe ajo e regjistrimit, të cilat nuk do të paguhen më çdo vit, sikurse është bërë deri më tani, por do të mblidhen në mënyrë indirekte përmes rritjes së taksave të karburantit, e cila pritet të rritet me 5 lekë për litër. Përsa i përket importimit të një makine nga jashtë, në qoftë se ende nuk e ke prerë doganën, nuk do të paguash këtë barrë fiskale, por do t’i nënshtrohesh ligjit të ri. Bëhet fjalë për periudhën kohore nga janari deri në shtator të vitit 2011. Pavarësisht se ligji i ri për taksat kombëtare dhe vendore, ku përfshihen taksat e makinave të përdorura që importohen në vend, hyn në fuqi në fund të muajit gusht, Ministria e Financave ka vendosur të falë nga fatura doganore të gjithë pronarët e automjeteve që kanë prurë në Shqipëri makina që nga janari 2011. Personat në fjalë do t’i nënshtrohen ligjit të ri të pagimit të taksave. Përsa i përket personave që kanë importuar automjetet përpara muajit janar, deri në fund të dhjetorit 2010, ata përfitojnë nga falja fiskale. Nuk do të falen, sipas ligjit, personat që kanë prurë makina nga jashtë në territorin e origjinës nga janari deri në shtator, por që e kanë paguar taksën doganore. Sipas Financave, këta persona nuk mund të përfitojnë, pasi nuk mund të ketë një falje të dytë fiskale.
Për shembull: një makinë me 1600 kubikë me vjetërsi 6 vjet që i përket koeficienti 0,2 dhe e përdor me naftë llogaritet: 1600 X 0,2 X 25. Pra, ky person që disponon këtë automjet me këto karakteristika pritet të paguajë me ligjin e ri një taksë prej 8000 lekësh.
Si do të paguhen taksat e makinave me hyrjen në fuqi të ligjit
Me ligjin e ri për taksat kombëtare dhe vendore të ndryshuar do të bëhet ristrukturimi i taksimit të mjeteve të përdorura, duke u hequr taksa e makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit), taksa vjetore e qarkullimit, taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve. Aplikimi i taksës së re të qarkullimit do të jetë një taksë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër. Taksa e karbonit që është aktualisht mbi benzinën në masën 1,5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, do të aplikohet edhe mbi dy kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin dhe lëndë djegëse (solarin dhe mazutin). Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin do të jetë në masën 5 lekë litri deri më 31.12.2011; pas kësaj date, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin do të jetë në masën 7 lekë litri. Kjo taksë zbatohet si për benzinën dhe gazoilin e importuar, ashtu edhe për ato të prodhuara në vend. Taksa vjetore e mjeteve të përdorura caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Përsa i përket mjeteve me vjetërsi nga 0-3 vjet, ata përjashtohen nga kjo taksë. Për mjetet që regjistrohen për herë të parë, taksa llogaritet proporcionalisht për periudhën e mbetur të vitit.