Turqit sjellin "Dervishi dhe vdekja"
Kush vjen në pushtet për të ndryshuar botën, ndryshon veten brenda tij. Me vëmendjen kritike se teatri po i afrohet letërsisë regjisori turk Nurulla Tuncer është ngjitur mbrëmjen e së mërkurës në skenën antike të festivalit të Butrintit me dramatizmin e veprës së njohur të shkrimtarit boshnjak Mesa Selimoviç, përkthyer edhe në shqip pak kohë më parë, nga gazetari Ben Andoni. Kjo ishte hera e parë që një trupë turke ngjitej në një skenë shqiptare. Dervishi Nuredin beson tek njeriu dhe tek mirësia e tij. Por vrasja e të vëllait e shkatërron krejt sistemin e ngritur brenda tij - kapelet hierarkike të vendosura mbi kryet e besimtarëve myslimanë ngrehin në skenë gjithë pushtetin fetar. Pabesia, intriga, shpërfillja njerëzore e shndërrojnë dervishin Nuredin në një njeri që vret, që e harroi mirësinë, por në fund rrota e mundimit e rikthen sërish tek njeriu i parë. Por, kjo ndodh pasi në skenë kanë kaluar gati një orë e gjysmë aktrim nga trupa turke, ku qetësia, dialogu, atmosfera fetare kanë realizuar perceptimin regjisorial të Tuncerit, një regjisor konceptual që synon të hyjë në tema të forta midis diktaturës dhe sistemit fetar. Tuncer ka treguar dje për mediat se interesat e tij mbi teatrin janë krejtësisht mbi drama të forta siç mund të jenë vepra të autorëve si Mesa Selimoviç, Brehti apo Çehov.