Shqipëria ngjit shkallët në lirinë ekonomike, e para në rajon për regjistrimin e biznesit
Statistikat e Wall Street Journal për liritë ekonomike, flasin dhe komentojnë ekspertëtShqipëria radhitet në vendin e 53-të për nga liria ekonomike sipas këtij indeksi, duke marrë 66 pikë. Niveli i lirisë ekonomike është përmirësuar me 2 presje 3 për qind gjatë vitit të kaluar. Shqipëria radhitet e 25ta nga 43 vendet e Evropës dhe vlerësimi i përgjithshëm është mbi mesataren botërore.Ky indeks vjetor për Lirinë Ekonomike u publikua dje nga Fondacioni “Heritage” dhe gazeta The Wall Street Journal.Raporti konsideron dhjetë kritere në vlerësimin për lirinë ekonomike të një vendi – lirinë për punën, biznesin, tregtinë, lirinë fiskale, shpenzimet qeveritare, lirinë monetare, lirinë për investime, lirinë financiare, të drejtën e pronës dhe lirinë nga korrupsioni.Sipas këtij raporti, me gjithë rënien ekonomike globale, Shqipëria ka qenë në gjendje të mbajë një qëndrueshmëri relativisht të mirë makroekonomike. Vendi ka vepruar për të përmirësuar klimën e biznesit dhe të investimeve thuhet në raport. Por me gjithë përmirësimet liria e biznesit në Shqipëri vazhdon të pengohet nga një mjedis rregullator i lodhshëm.Pika më e dobët e Shqipërisë në vlerësimin për lirinë ekonomike është korrupsioni. Megjithatë, në raport vlerësohen hapat e marra nga qeveria në luftën kundër kësaj dukurie. Një pikë tjetër e dobët për Shqipërinë është kriteri i të drejtës së pronësisë, ku përfshihet edhe sistemi i drejtësisë. Raporti thotë se kushtetuta e vendit i jep pavarësi gjyqësorit por presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i përhapur, burimet e kufizuara, dhe krimi i organizuar janë pengesa për një administratë gjyqësore efektive. Në përgjithësi thotë raporti, mbrojtja e të drejtës së pronësisë është e dobët. Regjistrimi i pasurisë është përmirësuar por siguria e të drejtës së tokës vazhdon të jetë problem në zonat bregdetare ku ka potencial për zhvillimin e turizmit.Raporti më i fundit i fondacionit Heritage mbi liritë ekonomike që e rendit Shqipërinë të 53-tin mes 183 vendeve të botës, cilësohet nga ekspertët vendas të ekonomisë si një vlerësim mjaft pozitiv që mbërrin në kushtet kur bota njohu një krizë të thellë. Për këshilltaren e kryeministrit për ekonominë 7 nga 10 treguesit e marrë në konsideratë janë mbi mesataren botërore, pasqyrë kjo e reformave shumëplanëshe të ndërmarra nga qeveria në përmirësimin e klimës së biznesit.Ekspertja e ekonomisë dhe këshilltarja e kryeministrit, Suzana Guxholli u shpreh se në këtë aspekt Shqipëria është mbi vendet e rajonit. “Nga 10 tregues 7 janë mbi mesataren botërore, jemi mbi vendet e rajonit”, deklaroi ajo.Ndërkaq, edhe për ish ministrin e Financave, Anastas Angjeli, ky raport është një hap përpara për ekonominë shqiptare.Mungesa e opozitës në zgjidhjen e ngërçit ligjor për disa reforma ekonomike sipas ekspertëve është një prej shkaqeve që ka sjellë rënie në 3 tregues të raportit....