“Shqipëria, vend tërheqës për investimet në nxjerrjen e naftës”
Kryeministri Sali Berisha pret një grup investitorësh kanadezë Kryeministri Sali Berisha prit dje një grup investitorësh kanadezë, të sjellë në Shqipëri nga Tie Domi, hokeisti i famshëm kanadez, me origjinë shqiptare. Ky grup përbëhej nga përfaqësues të tre kompanive të mëdha, Zëvendëspresidenti i GMP Michael Wekerle, Drejtori Ekzekutiv dhe Partner i SmartCentres, partner të Wall Mart, Mitchell Goldhar dhe Drejtori i grupit të financimit të energjisë të NATIONAL BANK, Sandy Edmonstone. Përfaqësuesit e këtyre kompanive i shprehën Kryeministrit Berisha përgëzimet dhe simpatinë e tyre për arritjet e Shqipërisë në këto vitet e fundit. Ata u shprehën se nuk ishte vetëm nxitja e Tie Domit, por edhe rezultatet në përmirësimin e klimës së biznesit dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare që e bëjnë Shqipërinë tërheqëse për interesin e tyre për të investuar këtu. Ata thanë se e shohin Shqipërinë si vendin më të tërheqës dhe të mundshëm për implementimin e projekteve të tyre në fushën e nxjerrjes dhe kërkimit të naftës, të mineraleve dhe përpunimit të tyre, të projekteve turistike, të sipërmarrjeve të shitjes me shumicë si grupi Wall Mart, si dhe hapjen e një dege të bankës për të financuar projektet ekzistuese dhe projektet e reja që ata do të prezantojnë.Kreu i qeverisë Berisha, pasi i falënderoi për interesin dhe vizitën në Shqipëri, ju paraqiti panoramën e potencialeve investuese në Shqipëri në fushat që ata përmendën, si dhe në fusha të tjera që ai solli në qendër të vëmendjes. Investimet në turizëm, qendra tregtare si Wall Mart, në hidrokarbure dhe në energji janë fusha që po zhvillohen me shpejtësi dhe pjesë e prioriteteve të zhvillimit. Krahas këtyre, Kryeministri sugjeroi edhe parqet industriale dhe portet. Ai i garantoi ata se qeveria e tij do t’i mbështesë thellësisht në zbatimin e këtyre projekteve, sipas ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare.Përfaqësuesit e kompanive të mëdha kanadeze e siguruan Kryeministrin që do të kthehen shumë shpejt në Shqipëri me projektet përkatëse dhe specialistët për zbatimin e tyre....