Veliaj i jep fund hipokrizisë, krijon partinë satelite të radhës ndaj PS-së së Edi Ramës
“G 99” keqpërdor shoqërinë civile në 99 mënyra, sa për të hedhur lumin
“Nuk mund të jetë më shoqëria, thjeshtë një kalë, i cili përdoret me 99 mënyra vetëm për të kaluar një lloji lumi dhe pastaj lihet nga mbrapa. Shoqëria civile duhet të jetë një identitet që ka identitetin e vet sepse në radhë të parë ndihmon në promovimin e vlerave të shoqërisë shqiptare”
TIRANE - Lëvizja G 99 është formësuar dje si një subjekt politik përmes nënshkrimit të statutit të ri të saj që do t’i japë mundësi të garojë, ashtu siç e parashikon Kodi i ri, në zgjedhjet e 28 qershorit. Erion Veliaj i ka dhënë kështu fund retorikës së tij hipokrite se “G 99” ishte në radhë të parë një aleancë qytetarësh apolitikë, duke ftuar këta të fundit që të rreshtohen përkrah “politikës së re“ që propagandon kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ndryshe nga disa muaj më parë, kur ai nga amfiteatri i Parkut të Madh të Tiranës, prezantonte lëvizjen “G 99”, dje nga një nga sallat e hotel “Tirana International”, binte në sy, mungesa e 99 “petritëve” nga shoqëria civile të G 99. Përkundër kësaj, dekori i djeshëm i Erjon Veliajt, përbëhej nga të rijnë në kufijtë e adoleshencës, që kurrsesi nuk mund të krahasohen me ata 99-shat e shoqërisë civile.
Përballë kësaj metamorfoze mbështetësish të Erjon Veliajt, gjuha që përdori dje kreu i vetëshpallur i partisë më të re, jo vetëm që nuk kishte dhe aq shumë lidhje me adoleshentët pjesëmarrës në këtë promovim partie, por pasazhet e atij fjalimi ishin kopjim i fjalimeve të Barak Obamës. E veçanta e fjalimit të djeshëm të Erjon Veliajt me fjalimet e Barak Obamës, por jo me fjalimet e Edi Ramës, lidhej me përmbajtjen e enumeracionit të numërimit mbrapsht të ditëve deri në ditën e zgjedhjeve që përdor shpesh kohët e fundit kryesocialisti Rama dhe zyrtarët e tjerë të selisë rozë.
Në lidhje me pozicionimin e tij në koalicion me PS, drejtuesi i “G 99” Erion Veliaj tha se për koalicionin e së majtës është “koalicioni i ndërtimit, ndërsa ai i së djathtës ai i shkatërrimit”. “Kështu, kemi zgjedhur të jemi pjesë e koalicionit që ndërton, koalicion që ndërton qytete, që ndërton organizata të suksesshme, që ndërton siguri e kushte për punë të suksesshme në mënyrë që secili t’ia arrijë ndershmërisht, falë talentit të vet çdo synimi në jetë. Kështu që unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e një grupi, që pikësëpari është një grup njerëzish të aftë që dinë të ndërtojnë”, përfundoi Veliaj.
Njëri nga ish-drejtuesit e MJAFT-it, sot në oponencë të hapur me këtë organizatë
dhe vetë Erion Veliajn, Besjan Pesha, ka atakuar në mënyrë indirekte partinë më
të re. I pranishëm në një aktivitet paralel me atë të G 99-ës, në cilësinë e drejtuesit të institutit “Idea”, një organizatë kjo rinore pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pesha deklaroi se shoqëria civile në Shqipëri ka nevojë të forcohet dhe se ka nevojë të forcohet edhe nëpërmjet mekanizmave ligjorë dhe nëpërmjet mekanizmave shtetërore.
“Nuk mund të jetë më shoqëria, thjeshtë një kalë, i cili përdoret me 99 mënyra vetëm për të kaluar një lloj lumi dhe pastaj lihet nga mbrapa. Shoqëria civile duhet të jetë një identitet që ka identitetin e vet sepse në radhë të parë ndihmon në promovimin e vlerave të shoqërisë shqiptare”, deklaroi dje Pesha.