Shoqata “Tirana” pro projektit të qeverisë
Shoqata “Tirana” përkrah projektin e qeverisë për Unazën e Madhe, ndërkohë që u kërkon qytetarëve ta shohin atë si një projekt që do t’i japë fund kaosit të trafikut, por edhe ndotjes së madhe të krijuar në kryeqytet. Kryetari i kësaj Shoqate, Sinan Tafaj, u shpreh se realizimi i këtij projekti nuk cenon hapësirat e gjelbra si atë të Kopshtit Botanik, të cilat në fakt vitet e fundit janë zënë nga ndërtime pa fund. Sipas Tafajt, qytetarëve të Tiranës u duhet infrastruktura moderne. “Besojmë se çdo ndërhyrje në përmirësimin e këtyre parametrave infrastrukturorë do të ishte e mirëpritur, e shoqëruar kjo dhe me masa paralele për përmirësimin e ambienteve të gjelbëruara në dobi të qytetarëve. Si qytetar të Tiranës, por dhe si qytetarë të Europës, ne duam të jetojmë një kohë ku projektet dhe investimet infrastrukturore t’i paraprijnë atyre të ndërtimeve”, - pohoi Sinan Tafaj. Ditët e fundit ndërtimi i Unazës së Madhe është kthyer në një debat mes qeverise dhe opozitës. Madje, ka pasur edhe reagime nga shoqatat ambientaliste, por gjithsesi, projekti tashmë do të konkretizohet, pavarësisht zërave pro apo kundër.