E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, “parajsa” e dopingut

Jetmir Halilaj (PANORAMA SPORT) - Në Shqipëri një futbollist mund të përdorë substanca dopuese si të dojë, sa të dojë dhe kur të dojë. Ndaj tij nuk do të merret asnjë masë, madje për aq kohë sa ai do të luajë vetëm në kampionatin vendës, nuk do të ketë kurrfarë problemi. Në kampionatin shqiptar të futbollit nuk janë ushtruar asnjëherë kontrolle antidoping, pavarësisht se mundësitë kanë qenë. Zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit pohojnë se vitet e fundit nuk ka pasur asnjë test për lojtarët e kampionatit shqiptar dhe gjithçka është lënë në mirëbesim të futbollistëve dhe të klubeve.
Federata
Ilir Shulku, përgjegjësi i sektorit të garave në FSHF, ka pohuar se gjatë dy sezoneve të fundit, kur ai është bërë pjesë e administratës së FSHF-së, nuk ka pasur asnjë test antidoping për futbollistët. Ai ka sqaruar edhe motivin e mostestimit të futbollistëve. “Është e vërtetë që nuk ka pasur asnjë kontroll, madje as sezonin e fundit. - ka deklaruar Shulku – Kjo gjë bëhet zakonisht kur ka një kërkesë zyrtare nga ndonjë palë. Pra, nëse një klub bën kërkesë që të ushtrohet kontroll për futbollistët e tij, apo edhe për skuadrën kundërshtare. Për shembull: Në rast se skuadra X luan kundër skuadrës Y dhe njëra palë kërkon që të ushtrohet kontroll antidoping, ne njoftojmë menjëherë Komisionin Mjekësor Sportiv, i cili më pas kontakton me agjencinë ndërkombëtare të antidopingut dhe ushtrohen kontrolle.” Sipas  përgjegjësit të sektorit të garave, edhe në Shqipëri ka laboratorë të specializuar që merren me këtë çështje. “Ka edhe në Shqipëri laboratorë dhe klinika të specializuara, të cilat mund të kryejnë analiza të kësaj natyre”, - ka shtuar Shulku.
Klubet
Duhet theksuar faktin se asnjë nga klubet shqiptare deri tani nuk e ka përmendur temën e dopingut dhe aq më pak të paraqesë një projekt apo një plan për ta luftuar si fenomen. Drejtuesit e skuadrave shqiptare jemi mësuar t’i dëgjojmë të akuzojnë arbitrat, kundërshtarët apo lojtarët e tyre edhe për shitje ndeshjesh, por kurrë nuk e kanë vënë ujin në zjarr për problemin e dopingut. Nuk mund të përjashtohet mundësia se ndokush prej tyre mund të ketë informacion se brenda skuadrës së tij ka edhe lojtarë që përdorin substanca të ndaluara, por për të mos u penalizuar dhe për të mos rrezikuar përjashtimin e lojtarit, heshtin. Në pjesën dërrmuese të rasteve janë vetë futbollistët, ata që dëmtohen kur përdorin substanca të ndaluara, por këtu nuk përjashtohen edhe klubet. Kjo jo vetëm për shkak të problemeve që mund të kenë lojtarët e tyre në të ardhmen, por edhe sepse një ekip kundërshtar mund ta fitojë ndeshjen, pasi lojtarët e tij për shkak të përdorimit të substancave mund të kenë vrapuar më shumë në fushë dhe mund të kenë pasur një tjetër ritëm në krahasim me atë që kanë zakonisht.
  
Rreziku
Përdorimi i substancave të ndaluara shpeshherë paraqet rrezik edhe për shëndetin e futbollistëve. Sipas mjekëve, në shumicën e rasteve substancat e ndaluara kanë efekte anësore ose të mëvonshme te sportistët, madje nëse ato përdoren pa kriter, kjo gjë mund t’u rrezikojë jetën atyre. Në Shqipëri nuk ka pasur asnjë rast gjatë viteve të fundit (të paktën zyrtarisht), ku një lojtar të ketë hasur probleme të tilla, por kjo nuk përjashton rrezikun se ndonjë futbollist i kampionatit tonë mund të përdorë substanca dopuese.
Ndikon në rezultat
Imagjinoni pak sikur katër apo pesë futbollistë kyç të një skuadre të përdorin substanca të ndaluara para një ndeshjeje të rëndësishme. Rendimenti i tyre në fushë, jo vetëm fizikisht, por edhe sa i përket kreativitetit të lojës është padiksutim më i lartë se sa në një ditë të zakonshme. Kjo gjë mund të ndikojë edhe në rezultatin e ndeshjes, madje në një rast të tillë, ato që penalizohen më shumë janë klubet. Në fund të fundit substancat e ndaluara, kur përdoren qëllimisht, kanë vetëm një motiv: rritjen e kapaciteteve fizike dhe krijuese.
 
Mjeku Heqimi: Mjafton një kërkesë e FSHF-së
Mjafton një kërkesë e Federatës Shqiptare të futbollit, që të kryhet një test antidopingu në kampionatin shqiptar. Këtë e pohon doktori i famshëm Lluka Heqimi, i cili për shumë vite ka qenë edhe mjeku i përfaqësueses shqiptare. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai shpjegon edhe procedurat që ndiqen për të ushtruar kontroll te sportistët shqiptarë. Ai është aktualisht pjesë e komisionit mjekësor sportiv dhe pohon se deri tani nuk ka pasur asnjë kërkesë nga FSHF-ja për të ushtruar kontrolle te futbollistët e kampionatit shqiptar.
Doktor, a është e vërtetë që vitet e fundit nuk është ushtruar asnjë kontroll antidopingu për futbollistët shqiptarë?
E vërtetë është, por unë nuk besoj se kjo ka qenë detyrimisht e nevojshme. Zakonisht kjo gjë ndodh kur ka dyshime, pra kur ka indicie apo kërkesë nga ndonjë klub. Unë nuk mendoj se në kampionatin shqiptar ka qenë e nevojshme një gjë e tillë, sepse intuita më thotë se gjëra të tilla nuk ndodhin. Megjithatë, po ju them se edhe në Shqipëri ka instanca të caktuara, madje të anëtarësuara në WADA, të cilave nëse u kërkohet, mund të ushtrojnë kontrolle.
Kush duhet ta kërkojë një gjë të tillë, që të ushtrohet një kontroll?
Klubet, federata vetë ndoshta.
A është ushtruar kontroll gjatë viteve të fundit tek sportistët shqiptarë?
Po, ka pasur kontrolle, madje të konsiderueshme. Zakonisht janë federatat sportive ato që i kërkojnë WADA-s, që të ushtrojë kontrolle dhe kjo ka ndodhur në ato sporte që më së shumti na kanë përfaqësuar në arenën ndërkombëtare, si në peshëngritje.
Po Federata Shqiptare e Futbollit i ka kërkuar ndonjëherë WADA-s që të ushtrojë kontroll?
Jo, nuk ka pasur një kërkesë të tillë nga FSHF-ja. Shikoni, kjo bëhet kur drejtuesit duan të evitojnë problemet në arenën ndërkombëtare dhe për këtë motiv duan të sigurohen se sportistët që përfaqësojnë vendin tonë janë të pastër. Gjithsesi dua të shtoj edhe një fakt, që këto kontrolle kushtojnë. Pra, nuk mund të bëhen gjithnjë sipas dëshirës. Sa i përket futbollit, unë e përsëris edhe njëherë se nuk ka qenë e nevojshme, sepse nuk besoj që në kampionatin tonë të ketë lindur nevoja për substanca të ndaluara. Unë nuk di të ketë pasur dyshime nga ndonjë drejtues klubi, apo edhe nga vetë federata për gjëra të tilla.
Dakord doktor, por puna është se mjaftoi një kontroll rutinë në ndeshjen Bezhania-Besa dhe Alban Dragusha rezultoi pozitiv me nandrelon...
Po, e mbaj mend atë rast dhe u veprua gabim që ai futbollist u lejua të luante më pas, sepse së pari ai rrezikonte veten e tij.
A nuk do të ishte më mirë që FSHF-ja, qoftë edhe për të mbajtur futbollistët nën kontroll, të ushtronte disa herë gjatë një sezoni kontrolle mjekësore?
Ndoshta, por këtë përgjigje nuk mund t’ua jap unë. Personalisht mendoj se në kampionatin shqiptar nuk është se kjo gjë, pra kontrollet, janë detyrimisht të nevojshme.
Çfarë duhet bërë për të nisur një kontroll antidoping?
Kjo mund të bëhet fare thjeshtë edhe nga federata e një sporti. Ajo i kërkon WADA-s që ta ndihmojë për disa kontrolle, sigurisht kundrejt një pagese të caktuar dhe ata nisin specialistët e tyre në vendin tonë dhe sipas indicieve, ose direktivave të atyre që kanë bërë kërkesën, ushtrojnë edhe kontrollin antidoping. Më pas bëhen të gjitha analizat dhe del një konkluzion.

Kush është Lluka Heqimi
Doktor/profesor Lluka Heqimi është një nga personalitetet e para që është marrë me mjekësinë sportive. Ai është anëtar i organizatës botërore kundër antidopingut. Për më shumë se 22 vjet me radhë, Dr. Heqimi ka qenë mjek pranë ekipin tonë përfaqësues. Ai është larguar nga ky post në tetor të 2003-it para ndeshjes me Portugalinë e Felipe Skolarit. Ai është edhe autor i disa shkrimeve e librave, ndër të cilët për t’u cituar është “Të ushqyerit në sport: manual jo vetëm për sportistët”, me bashkautor Gjergj Titanin.
Kontrolle të vazhdueshme, Ja cila do të ishte zgjidhja
Federata, e cila në Shqipëri për shkak të mungesës së Ligës Profesioniste, luan rolin e një organi rregullator dhe organizator, fare mirë gjatë një sezoni mund të kërkojë që të ushtrohen kontrolle gjatë ndeshjeve të ndryshme në skuadra të ndryshme. Në këtë mënyrë, jo vetëm që mban nën kontroll ekipet dhe vetë lojtarët, por ushtron edhe presion ndaj tyre, duke i detyruar të jenë më të përgjegjshëm. Në rregulloren e Federatës Shqiptare të Futbollit është sanksionuar qartë se kur një futbollist përdor substanca të ndaluara, atëherë ndëshkimet ndaj tij janë thuajse të barazvlefshme me ato që parashikojnë edhe rregulloret e federatave perëndimore. Në këtë mënyrë, edhe vetë klubet ushtrojnë më tepër presion ndaj lojtarëve, për të parandaluar ndonjë veprim të pakontrolluar të tyre. Për fat të keq, as nga federata dhe as nga drejtuesit e skuadrave, lufta kundër dopingut deri tani nuk ka qenë asnjëherë në plan të parë.
Rregullorja
Në rregulloren e Federatës Shqiptare të Futbollit është sanksionuar qartë se, kur një futbollist përdor substanca të ndaluara, ai pezullohet deri në një vit nga aktivitetet kombëtare. Në pikën 15 të nenit 26 të Kodit të Drejtësisë Sportive thuhet se: “Kur një futbollist përdor mjete të palejuara stimulative për rritjen e aftësisë fizike, dënohet nga gjashtë deri në një vit. Në raste të përsëritura, dënimi shkon nga një deri në 2 vite pezullim.
Kombëtarja
Ka ndodhur disa herë që futbollistë të Kombëtares shqiptare, pas ndeshjeve të ndryshme u janë nënshtruar testeve antidoping. Kjo është një procedurë mëse normale në vendet e zhvilluara, madje kontrollet nuk aplikohen vetëm në ndeshjen e përfaqësueseve, por kryhen rregullisht edhe në kampionatet e huaja.
E kaluara, Precedenti i Dragushës, i vetmi deri tani
Futbollisti i kampionatit shqiptar, që deri tani ka rezultuar pozitiv në testet antidoping, është lojtari i Besës së Kavajës, Alban Dragusha. Më 2007-ën ai u pezullua për dy vite, pasi pati rezultuar pozitiv në testet antidoping të bëra pas ndeshjes Besa-Bazhanija, në kuadër të ish-Kupës UEFA. Mbrojtësit kosovar iu zbulua substanca “Nandrolone”.
Peshëngritja
Peshëngritja, sporti më elitar shqiptar në botë, është bërë jo pak herë edhe protagonist i kontrollove nga Agjencia Ndërkombëtare e Anti-dopingut (WADA). I pari që nuk i ka shpëtuar substancës stimuluese ka qenë Ilir Kafarani e pas tij Isa Bala, Mirjan Loti dhe e vetmja femër Fetije Kasaj. Sipas Federatës Botërore të Peshëngritjes, Kafarani është kapur me doping në kampionat evropian, për përdorim stanozololi. Ndërkohë peshëngritësja Kasaj u përjashtua me dy vite nga konkurrimi. Jo vetëm kaq, por Kasaj u detyrua të kthejë mbrapsht edhe dy medaljet e argjendta të fituara në kampionatin evropian të zhvilluar në Strasburg të Francës. Gjithsesi, tani Kasaj e ka mbaruar dënimin, madje ka qenë vitin e kaluar edhe pjesë e delegacionit sportiv shqiptar në Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009”.

Çfarë është WADA?
Agjencia Botërore Anti-Doping (World Anti-Doping Agency) është një shoqatë e pavarur, e krijuar më 10 nëntor të vitit 1999 në Lozanë, pas kërkesës së bërë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO). Ajo është krijuar për të luftuar dopingun në sport. Në vitin 2001, WADA e spostoi selinë e saj nga Zvicra në Montreal në Kanada. Kjo agjenci punon për të ndihmuar federata të veçanta sportive dhe për të përmirësuar testet antidoping. Shpesh publikon edhe listën e medikamenteve të ndryshme, përdorimi i të cilave përbën thyerje të rregullores nga sportistët. WADA financohet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) dhe nga qeveritë e disa vendeve të zhvilluara.
Nuk ka kontrolle, Kosova, të njëjtin problem me Shqipërinë
Ish-futbollisti i shumë skuadrave të Kosovës, Ismet Munishi, e pranon se në Kosovë futbollistët shfrytëzojnë dopingun për të rritur formën dhe aftësitë e tyre fizike. Ai është në dijeni të dhjetëra rasteve, por thotë se nuk i takon atij të flasë për emra të përveçëm. Institucioneve që u takon të merren me këtë punë "nuk ekzistojnë", tani për tani. Shfrytëzimi i substancave të palejuara në gjithë botën, në Kosovë nuk ndëshkohet, pasi nuk ka se si të zbulohet. Kosova është një ndër vendet më të rralla në Evropë, ku sportistët nuk u nënshtrohen testeve antidoping. “Ka raste të përdorimit të dopingut nga futbollistët. Ata që duan ta marrin e bëjnë këtë pa mëdyshje, sepse nuk ka asnjë rrezik se mund të zbulohen", - është shprehur të dielën për “Kohën Ditore” Munishi, tani menaxher i futbollit. “E kemi legjislaturën edhe listën e substancave të palejuara, së shpejti do ta shpërndajmë nëpër të gjitha klubet. Do të përpilojmë edhe një rregullore për antidoping, kështu që nuk do të thotë se këtë çështje do ta trajtojmë vetëm pas pranimit në FIFA dhe UEFA, - ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. - Mendoj se mund të formojmë një ekip profesionistësh, që do të merret vetëm me këtë çështje. Është një gjë që mund të bëhet dhe shumë shpejt pritet të merret një vendim”.
 

 0
Asnjë kontroll anti-doping nuk është ushtruar gjatë viteve të fundit në kampionatin shqiptar të futbollit. Kjo, pasi nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Federata dhe nga klubet. 
2
Shqipëria dhe Kosova janë dy vende evropiane që nuk ushtrojnë asnjë kontroll për substancat e ndaluara gjatë gjithë një sezoni futbollistik, duke lënë shumë për të dëshiruar.
1
Vetëm Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka kërkuar zyrtarisht pranë WADA-s që të testojë sportistët e saj. Kjo edhe për shkak se peshëngritësit kanë qenë sportistët shqiptarë që kanë përfaqësuar më tepër Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
 Burimi: Albania-sport.comE Enjte, 04 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›