E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria "park energjetik", projekt për TEC edhe në Delvinë

Kompania publike me qendër në Kanada, "Stream-Oil" LTD&GAS, ka shfaqur interes të veçantë për të ndryshuar teknologjinë dhe mënyrën e shfrytëzimit të puseve të kondensatit dhe gazit, rudimente të ish-ndërmarrjes së naftës në Delvinë. Kanadezët parashikojnë edhe ndërtimin e një termocentrali me gaz në Delvinë. Atje nuk janë veçse disa puse që vazhdojnë të kenë jetë dhe të dërgojnë gaz e kondensat përmes tubacionit qindra kilometra që shtrihet nga Delvina deri në Ballsh. Megjithatë, fakti që agregatet e puseve nuk kanë heshtur ende dhe vazhdimi i shfrytëzimit të nëntokës, prej nga nxirret një sasi sado modeste gazi e kondensati, ka tërhequr interesimin e kësaj kompanie publike kanadeze. Menaxheri i saj, italiani Leonardo Simaneti, tha për "Shqip" se kjo nuk ka qenë një kërshëri e rastit dhe as aventurë, por ambicie që ka nxitur për t‘u realizuar një projekt i sipërmarrjes që po përgatitet. E djeshmja ka qenë dita e kontaktit të parë të këtij projekti ambicioz me publikun e qytetit të Delvinës, për të cilin ka shprehur angazhimin e saj edhe vetë qeverisja vendore. Në prani të qindra qytetarëve nga Bashkia e Delvinës, por edhe të drejtuesve të institucioneve, specialistëve të mjedisit dhe grupeve të tjera të interesit, është bërë prezantimi i projektit. Kompania publike me qendër në Kanada "Stream-Oil" LTD&GAS, është sipërmarrëse për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve (gaz dhe kondensat) në këto vendburime. Prezantimi i projektit u bë nga inxhinieri i kompanisë "Albpetrol" sh.a, prof.dr. Mihal Gjoka. Investimi në këtë sektor konsiston në përmirësime të teknologjisë së shpimeve për vendburime të reja dhe shoqërohet me aplikime bashkëkohore në teknologji, duke zëvendësuar atë ekzistuese. Ky projekt parashikon që dy vitet e para të konsiderohen si faza e studimit dhe eksperimentimit, ndërkohë që në vitin 2009 masa e investimit prej saj kap shifrën 4 milionë dollarë. Investimi kanadez parashikon në projekt edhe ngritjen e një termocentrali me gaz. Kryetari i Bashkisë së Delvinës, Dhurim Alinani, u kërkoi përfaqësuesve të kompanisë së huaj ruajtjen e mjedisit, bashkëpunimin me pronarët dhe bashkinë për tokat që gjenden në pronësi private dhe publike. Por kjo iu kërkua në prezantim edhe palës shqiptare, pasi 70% e prodhimit administrohet nga "Albpetrol" dhe 30% nga kompania kanadeze "Stream-Oil". Alinani thotë se në shkëmbim të pranimit të investimit, "Stream-Oil"-it iu kërkua të bëjë investime edhe për sistemin e ngrohjes me gaz të shkollave dhe çerdheve publike, si dhe investime në infrastrukturë e sponsorizimin e ekipit të futbollit "Bistrica".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›