Autostrada pa projekt rrezikon shembjen e shtëpive
Në lagjen Drinas të qytetit të Kukësit, edhe pas konfigurimit të trasesë së autostradës, nuk mbarojnë problemet që lidhen me banesat që, për shkak të saj, rrezikojnë të shemben. Nuk bëhet fjalë për ato prona të cilat kanë qenë të përfshira në projekt për t‘u shpronësuar, por për një grup banesash të cilat ndodhen vetëm disa metra mbi skarpatin e autostradës dhe që për shkak të saj, nuk mund të qëndrojnë më në këmbë. Janë pesë familje, përkatësisht dy familje Braha, një Istrefi dhe dy Oruçi. Që me fillimin e punimeve në aks, banorët kanë protestuar për rrezikun e shembjes së dheut, ndërsa protesta e tyre ka nxitur ndërtimin e një muri disa metra të lartë. Supervizori italian, Antoinio Çibaldi, pranon se gjendja në Drinas është problematike dhe se me sugjerimin e tij janë ndërtuar të paktën edhe dy metra mure në lartësi dhe që megjithatë duhet shumë punë për të stabilizuar gjendjen. "Janë konsekuenca të projektit, nuk kanë qenë të parashikuara këto fenomene që po shfaqen tani", u shpreh Çibaldi. Ai shtoi se kishte negociuar disa herë në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për t‘i bërë retushime projektit. Por ai nuk harroi të nënvizonte se ishte porositur nga ana tjetër që të kursente sa më shumë në çdo ndërhyrje që sugjeronte. "Këta banorë vijnë çdo ditë në zyrat tona, duke u ankuar për shembjen e tokës dhe oborreve të shtëpive, duke u ankuar se nuk kanë një mbikalim etj. Duhet t‘u drejtohen kompetentëve të projektit dhe jo neve", u shpreh Çibaldi, duke shtuar se që të shtatë ditët e javës, ai duhej të merrej ndër të tjera edhe me Drinasin. Banorët nga ana tjetër thonë se i kanë shkruar letër edhe pushtetit vendor, por ende nuk kanë gjetur mbështetje. Disa gra që merreshin me bagëtitë u shprehën se kishin shumë frikë të banonin ende në këto shtëpi. "Ja, e shihni si është shembur dheu deri dy metër afër shtëpisë, shihni si është shembur avllia, a mund të rrihet në këtë gjendje?", tha një grua, e cila shprehu se kishte frikë edhe për fëmijët e vegjël, pasi nuk kishte në gjithë gjatësinë e mureve të skarpatit asnjë shenjë apo sistem parandalues të aksidenteve. Ervisi, një adoleshent që banon në një prej shtëpive në rrezik, tregon se sapo ka dalë nga spitali ku ishte kuruar nga rrëzimi në murin e rrugës. "Jemi izoluar dhe nuk na mbetet veçse të lëmë shtëpitë tona", tha një banor tjetër i Drinasit, i cili përmendi me këtë rast indiferencën e projektuesve që nuk kanë parashikuar lidhjen e lagjes me pjesën tjetër me mbikalim apo nënkalim. Terreni aty ka rrëshqitur, duke marrë me vete bunkerë prej betoni, pemë, tubacione të shkarkimeve të ujërave, mure rrethuese... gjithçka. Projektuesit e autostradës as që kanë pasur parasysh se jeta e këtyre njerëzve do të bëhej e pamundur dhe në rrezik. Shumica e banorëve nuk e ngrenë zërin me aq forcë, nja dy familje janë larguar me mendimin se një kredi ndaj shtetit do t‘u takojë ndonjë ditë, të tjerë kanë firmosur një peticion drejtuar vendorëve dhe supervizorëve, ndërsa një grup i vogël tregohet këmbëngulës, duke kërkuar derë më derë çdo ditë rishikimin e situatës në lagje. Një burim i supervizionit tha që banorët donin të përfitonin me pa të drejtë, por në realitet toka po shembet, një mur mbajtës i ndërtuar dhe i rindërtuar disa herë nuk po mbante as veten e vet, dhe nuk është çudi që një ditë të ndodhë tragjedia.