E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet aksi Kukës-Peshkopi. Fshatarët: Duam lekët e rrugës

Dhjetëra banorë të fshatit Shtiqën kanë bllokuar dje paradite rrugën Kukës-Bicaj, në afërsi të aeroportit, në shenjë proteste për mungesën e dëmshpërblimit për tokën. Bllokimi i rrugës ka filluar dje në orën 06:00 të mëngjesit, kur një grup nga familjet që pretendojnë të jenë pronare e tokës ku kalon rruga, kanë vendosur barrikada me gurë dhe hekurishte në rrugë, duke penguar qarkullimin e qindra mjeteve. Në vendin e ngjarjes ka udhëtuar një furgon me policë, të cilët pas një dialogu të nxehtë, por pa përplasje të forta fizike, kanë arritur rreth orës 10:00 ta zhbllokojnë aksin rrugor. Policia, siç pohoi zëdhënësi i këtij institucioni, ka shoqëruar në komisariat katër persona për t‘i marrë në pyetje, ndërsa më pas i ka lënë të lirë.

Burime të komunës dhe vetë banorëve tregojnë se janë rreth 30 familje të interesuara për shpronësimin e tokës së tyre, të cilat ishin të përfshira edhe në protestën dhunshme, siç cilësohet bllokimi i akseve rrugore me gurë dhe barrikada të tjera. Banorët thonë se toka u është marrë rreth katër vite më parë nga ndërtuesit e aeroportit me garancinë e shtetit dhe me premtimin se toka do t‘u paguhet. Rruga që kalon nëpër tokën e pretenduar nga banorët e Shtiqnit u skicua pas ndërtimit të aeroportit, i cili nxori jashtë funksioni rrugën e vjetër Kukës-Bicaj. Kjo rrugë cilësohet edhe si aks kombëtar, pasi nëpërmjet saj bëhet lidhja e Kukësit me Peshkopinë. Kjo është protesta e parë pas atyre për tokat e aeroportit pesë vite më parë, nga banorët e Shtiqnit. Edhe në atë kohë, qe dashur ndërhyrja e përsëritur e forcave të ndërhyrjes së shpejtë për të liruar tokën e zënë të aeroportit, që vepra të përfundonte.

Të parët që kontaktuan me protestuesit në të vërtetë ishin efektivët e policisë lokale, në përpjekje për të siguruar qarkullimin e lirë të mjeteve në rrugë. Autoritetet e prefekturës kanë pritur në zyrë një përfaqësi të protestuesve, të cilëve u është premtuar se toka do të dëmshpërblehet. "Në Drejtorinë e Shpronësimeve merr hakun vetëm ai që e ka mirë me shtetin", tha I.Muçmata, një protestues 50-vjeçar. Por sekretari i prefektit, Rexhep Cena, i ka siguruar se institucioni i Prefektit do të bënte të mundur zbatimin me rigorozitet të së drejtës dhe se i kishte përcjellë qeverisë listat e plota me skicat e nevojshme për shpronësim. Edhe prefekti Cenalia, i ndjeshëm ndaj ngjarjes së rrugës, tha se "këto ditë, në Kukës vjen një ekip pune i Ministrisë së Punëve Publike, i cili do të marrë në shqyrtim edhe çështjen e pronave të familjeve të Shtiqnit. Ky kontingjent nuk është trajtuar asnjëherë në bllok lidhur me shpronësimin, por herë pas here janë bërë kërkesa", tha Cenalia duke nënvizuar se çështja do të zgjidhej vetëm me shpalljen e shpronësimit me vendim të Këshillit të Ministrave.

Policia, nga ana e saj, është përpjekur të mos përdorë dhunën, edhe pse ka shoqëruar katër persona në komisariat. "Ne po e trajtojmë me kujdes protestën e banorëve, duke ndihmuar në arritjen e një dialogu mes tyre dhe pushtetit, se ky i fundit është kompetent për shpronësimet, ne thjesht nuk duam të kalojmë në dhunë", tha drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Muharrem Furriku. Pjesë e bisedimeve që do të bëhen në vijim edhe me praninë e një ekipi të dërguar nga dikasteri qendror do të jetë edhe policia, pasi siç u shpreh drejtori Furriku "nuk do të tolerohet më bllokimi i rrugës".

Por banorët tregohen skeptikë nga bisedimet. Qëndrimi i tyre nuk lëviz shumë nga ai i mëngjesit të djeshëm, pasi një përfaqësi e tyre tha se rruga do të bllokohet përsëri në ditët në vijim, duke lënë të kalojnë vetëm rastet e urgjencave shëndetësore. Sipërfaqja e tokës e zënë nga rruga Kukës-Bicaj mendohet të jetë disa hektarë, ndërsa nuk ka një studim të saktë për të.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›