BKT-KfW, mbështetje për koncesionet
Banka Kombëtare Tregtare (BKT) nënshkroi dje me KfW-në, një Marrëveshje për Mbështetjen e Garancisë së Kolateralit. Marrëveshja konsiderohet një hap konkret i një bashkëpunimi shumë të frytshëm për lehtësimin e financimit të HEC-eve të vegjël në Shqipëri. Konkretisht, në bazë të marrëveshjes, KfW do të sigurojë garanci të pjesshme të kolateralit për investitorët e HEC-eve të vegjël. Kjo bën të mundur që një nga barrierat më të rëndësishme të shfrytëzimit të hidro-energjisë të tejkalohet dhe kjo do të sjellë një ndihmë të madhe në drejtim të financimit të këtyre projekteve. Nga ana tjetër, kjo do të mundësojë që një numër i madh HEC-esh të vegjël të ndërtohen duke siguruar reduktimin e nivelit të mosfurnizimit me energji elektrike për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Marrëveshja ndërmjet dy Bankave është pjesë e Programit të Promovimit të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë dhe Eficencës së Energjisë, që është pjesë e rëndësishme e kuadrit të bashkëpunimit financiar të qeverisë gjermane me atë shqiptare.