Pallati i rrënuar, gjashtë familje kërkojnë ndihmë
Gjashtë familjet që jetojnë në një pallat trekatësh në lagjen Moradie të Vlorës japin alarmin se banesa ku banojnë është krejtësisht e amortizuar dhe mund t‘i zërë nën vete. Për të mbajtur një pjesë të çatisë, banorët kanë vendosur disa shtylla, ndërsa dyshemeja pjesë-pjesë ka rënë dhe e gjithë ndërtesa mund të shembet. Në godinën trekatëshe kanë banuar edhe disa familje të tjera, por bashkia para dy muajsh u ka dhënë strehim sipas mundësive. Gjashtë familjet që jetojnë ende aty kanë bërë ankesa vazhdimisht në bashki dhe prefekturë, por deri tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje. "Ndjehemi të rrezikuar në çdo moment. Mundohemi të ruajmë fëmijët të mos na bien nga dyshemeja e katit të tretë në katin e parë", thotë një banore e pallatit të amortizuar. Nga Zyra e Strehimit pranë Bashkisë së Vlorës thonë se tani për tani nuk ka mundësi zgjidhjeje për gjashtë familjet e rrezikuara, sepse para pak kohësh u strehuan familjet e katit të parë dhe të dytë të ndërtesës, që ishin më të rrezikuarat. Në bashki thonë se në të ardhmen do të zgjidhen problemet edhe për gjashtë familjet e mbetura, por ende nuk ka një fond të sigurt për strehimin e tyre.