E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovës i lihet Porti i Shëngjinit

Qeveria e Shqipërisë bie parimisht dakord, që t'i lërë Kosovës portin e veriut. Pritet caktimi i termave të marrëveshjes

Pas rrugës Durrës-Kukës, Shqipëria do t'i krijojë Kosovës edhe një tjetër mundësi për të dalë në det. Gjatë vizitës së delegacionit të ministrave të Kosovës në Shqipëri, u diskutua edhe mundësia e dhënies së një pjese të Portit të Shëngjinit nën administrimin e bizneseve të shqiptarëve të Kosovës. Kërkesa e palës kosovare është bërë gjatë takimit me ministrin e Financave, Ridvan Bode. "Në emër të qeverisë së Kosovës, do të kërkonim që të na krijohej hapësira për të pasur një pjesë në këtë port dhe për të bërë investime si qeveri, me qëllim rritjen e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve nga Porti i Shëngjinit, pas mundësive të reja që do të krijohen me inaugurimin e rrugës", - tha ministri kosovar e Ekonomisë, Ahmet Shala. Kërkesa e shqiptarëve përtej kufirit, tashmë shtet, është mbështetur edhe nga Kryeministri Sali Berisha, i cili tha se është plotësisht i gatshëm për akordimin e një porti të Kosovës për të plotësuar nevojat e saj. "Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë në mënyrë të përbashkët gjithmonë e më shumë drejt hapave të integrimit dhe njësimit të praktikave në fusha të ndryshme, për t'u krijuar sa më shumë lehtësi qytetarëve të tyre", - tha Berisha. Mësohet se ka qenë qeveria shqiptare e para, që i ka bërë ftesë palës kosovare, për të financuar dhe për të nxitur edhe investime private për këtë port. Miratimi i kërkesës nga qeveria shqiptare, mund të konsiderohet si një arritje në parim, pasi ende nuk është arritur një marrëveshje në letër, e cila do të caktonte edhe termat teknikë. Në lidhje me këtë, i kontaktuar nga "Shekulli", këshilltari i Kryeministrit për ekonominë, Selami Xhepa, tha se mënyra se si do të administrohet ky port, do të përcaktohet mbi bazën e një marrëveshjeje dypalëshe, e cila më pas do të kalojë edhe në Kuvend. Me futjen e një pjese të portit nën administrimin kosovar, ekspertët parashikojnë një rritje të ndjeshme të shkëmbimeve tregtare të Kosovës me vendet e tjera. Krahas rëndësisë ekonomike, ky akt mbart edhe rëndësi gjeostrategjike për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët në rajon. Dhënia e portit të Shëngjinit për biznesin kosovar, është në vazhdën e hapjes së rrugëve të bashkëpunimit dhe të zhvillimit të infrastrukturës midis dy vendeve. Bashkë me rrugën Durrës-Kukës-Prishtinë, ndërtimi i portit shihet si mundësia më e mirë për ecurinë e Kosovës dhe bashkëpunimin me Shqipërinë.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›