Ministri Turku u takua sot me me grupin që do të përfaqësojë vendin tinë në Eurosong

Ministri i Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve Ardjan Turku priti sot grupin që do të përfaqësojë Shqipërinë, në Festivalin Europian të Këngës, Eurosong, që pritet të zhvillohet këtë vit në datën 12 maj në Moskë (Rusi). “Ju ndodheni në këtë pozicion falë meritës suaj. Ministria e TKRS do të jetë një prej mbështetësve tuaj”, u tha ministri i kulturës anëtarëve të këtij grupi si dhe këngëtares Kejsi Tola, e cila do të interpretojë në këtë eveniment të rëndësishëm të muzikës europiane , këngën përfaqësuese të Shqipërisë, “Më merr në ëndërr”, fituese e Festivalit të fundit të këngës në Radio-Televizion. Pedagogia që ka punuar me Kejsi Tolën, zv/ ministrja Suzana Turku duke vlerësuar këngëtaren, tha se “riorkestrimi i këngës dhe ndërthurja në mënyrë origjinale në të e muzikës popullore shqiptare e bëjnë këtë këngë të veçantë, duke i dhënë më pas dhe një sukses të garantuar. Jemi munduar të përshtasim këngën sipas kritereve të kërkuara nga Eurosong. Përpunimi është realizuar në një studio profesionale në Gjermani. Kënga është përkthyer në gjuhën angleze nga June Taylor Myftari, e cila ka rritur ta përshtasë sa më mirë me origjinalin”, tha kompozitori i njohur, fitues i nje seri çmimesh kombëtare në muzikën e lehtë shqiptare. Kejsi Tola, e cilësoi me këtë rast pjesëmarjen në konkursin e këngës Europiane, si një ngjarje të jetës së saj. "Jam shumë e nderuar dhe e lumtur që m`u dha rasti të përfaqësoj vendin tim në një festival kaq prestigjoz", vijoi ajo jo pa emocion. Festivali Europian i Këngës Eurosong , është një aktivitet i përvitshën paneuropian ku marrin pjesë këngëtarë nga e gjithë Europa. Grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit përbëhet nga këngëtarja Kejsi Tola, autorët e këngës Edmond Zhulali dhe Agim Doçi , Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Petrit Beci si dhe drejtorja e Festivalit të Këngës në Radio Televizion, Zamira Koleci. Kejsi Tola, u bë fituesja e Festivalit të 47-të të Këngës në Radio Televizionin, në dhjetor të vitit të kaluar kur ajo fitoi maksimumin e pikëve në ngjarjen më të madhe të këngës, me këngën, "Më merr në ëndërr", një këngë e kompozuar nga Edmond Zhulali dhe me tekst të poetit të njohur Agim Doçi. Për të 6-tin vit radhazi, fituesi i festivalit të këngës në RTSH do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision Song Contest”. Kejsi Tola, u zbulua si këngëtare në konkursin e këngëtarëve të rinj “Ethet e së premtes mbrëma”, një shot televiziv shqiptar që zbulon talente në fushën e këngës.
...