E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria pjesë e Konventës kundër minave

Deklarata u firmos gjatë punimeve të Samitit të Kartagjenës, Kolumbi, “Për një botë të pastër nga minat”, që ka nisur në 29 nëntor dhe përfundon sot, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga 130 shtete.

Zv/ministri i Mbrojtjes, Arjan Starova, në cilësinë e kryetarit të delegacionit shqiptar në këtë Samit, në fjalën që mbajti para firmosjes së deklaratës, përgëzoi shtetet palë në konventë për sukseset e arritura në ndalimin e prodhimit të minave, shkatërrimin e stoqeve, pastrimin e zonave te minuara si dhe në asistencen për të aksidentuarit nga minat.
    
Në këtë samit delegacioni shqiptar shpalli dhe deklaratën se në Shqipëri, pas një dekade pune intensive, ka përfunduar pastrimi i të gjitha zonave të minuara, të identifikuara në verilindje të vendit, pothuajse një vit përpara afatit të përcaktuar në nenin 5 të Konventës së Otavës.
    
Zv/ministri Starova vlerësoi me këtë rast kontributin e të gjithë donatorëve dhe partnerëve për përmbushjen e këtij detyrimi të Konventes një vit përpara afatit të përcaktuar për Shqipërinë. Samiti i Kartagjenës u mbajt në kuadër të takimit të shteteve palë në Konventën e Otavës ose Traktatit të ndalimit të minave, që organizohet çdo vit në shtete të ndryshme, ndërsa një herë në 2 vjet zhvillohet në Gjenevë. Shqipëria është palë e Konventës së Otavës prej vitit 2000.
    
Çdo 5 vjet organizohet një konferencë rishikuese. Pesë vjet më parë ajo u organizua në Kenia dhe këtë herë në Kolumbi.  "Samiti i Kartagjenes për një botë pa mina" i është dhënë emri konferencës së dytë të rishikimit të Traktatit të ndalimit të minave, i firmosur në 3 dhjetor 1997 dhe që ka hyrë në fuqi 10 vjet më parë. Traktati kërkon të zhdukë përdorimin e minave kundër personit dhe si rrjedhojë vuajtjet e shkaktuara prej tyre. Deri sot 156 shtete janë palë të traktatit që kërkon ndalimin e përhershëm të përdorimit të minave dhe asistencë për të aksidentuarit prej tyre.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›