E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, Dinamo shans për një tjetër 3 pikësh

TIRANE- Dinamo ka një tjetër shans të artë për të vazhduar shkëputjen ndaj ndjekësve të saj, teksa sot në orën 13.30 do të presë në fushën e saj Flamurtarin. Blutë mund të arrijnë fitoren e 11-të sezonale, duke regjistruar një tjetër rekord pikësh në kampionatin shqiptar. Përballë vlonjatëve pritet që skuadra e Muçës të mos e ketë shumë të vështirë, duke parë problemet e shumta të skuadrës që drejtohet nga Gugash Magani.

Superliga në fakt ka nisur me ndeshjen e zhvilluar dje në Krujë mes Kastriotit dhe Teutës, ku durrsakët kanë fituar 2-1. Në një stadium të boshatisur, ishte Hysa që shënoi golin e avantazhit në minutën e 19-të të pjesës së parë. Minuta e 62-të sjell golin e dytë për durrsakët, këtë herë me autor Vangjel Milen. Ndërkohë vetëm 6 minuta më pas ishte Eleandro Pema që shkurtoi diferencën, por kjo nuk i hoqi fitoren skuadrës që drejtohet nga Mirel Josa. Përveç Dinamos, sot do të luhen edhe dy ndeshje të tjera, Apolonia-Vllaznia dhe Gramozi-Laçi. Java e 13-të do të mbyllet me dy ndeshjet e nesërme, Skënderbeu-Tirana dhe Besa-Shkumbini.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›