E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama e vendorët PS sot protestë para Kryeministrisë

TIRANE-Punonjës të bashkive opozitare në gjithë vendin protestojnë sot rreth orës 11:00 përpara Kryeministrisë, kundër cënimit të autonomisë vendore nga ana e pushtetit qendror. Si pjesë e reagimit opozitar ndaj kësaj qeverie, këtë herë janë drejtuesit vendorë që do të protestojnë sërish, ashtu siç kanë paralajmëruar.

Sipas programit të paracaktuar, do të ketë fjalime të kryetarëve të bashkive opozitare në vend dhe në fund, një fjalë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Me moton “Të drejta sipas ligjit”, drejtuesit vendorë do ta orientojnë këtë protestë drejt problemeve me të cilat përballet shoqëria dhe komunitete të caktuara të saj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, një ditë para protestës së njësive vendore u kërkoi biznesmenëve në Tiranë të bashkohen në këtë reagim. Ai u bëri thirrje biznesmenëve të vegjël të kundërshtojnë ligjin e ri të taksave, ligj i cili i detyron bizneset e vogla të kthehen në biznese të mëdha nëse kalojnë limitin prej 5 milionë lekë xhiro, duke rrezikuar kësisoj që mjaft prej tyre të mbyllin aktivitetin e duke shtuar në këtë mënyrë numrin e familjeve që jetojnë në varfëri.

Muaji dhjetor është cilësuar si muaji i protestave opozitare. Fillimisht stafetën e kanë marrë njësitë vendore, ndërkohë që më vonë, ndoshta që këtë muaj, në datë 15 ose 20 dhjetor mund të ketë edhe një tjetër protestë të madhe të socialistëve dhe partive mbështetëse.

Ndër-kaq, gjatë gjithë këtyre ditëve njësitë vendore të drejtuara nga socialistët kanë protestuar në qytete të ndryshme të vendit. Edhe dje pasdite administrata e Bashkisë së Tiranës protestoi në qendër të kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›