E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet protokolli i tetë

Të hënën, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), në Prishtinë është nënshkruar Protokolli i bashkëpunimit kërkimor-shkencor e artistik mes ASHAK dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHASH) për vitet 2011-2013. Nga Express më 31 maj 2011 në ora 07:54

Është ky protokolli i tetë i bashkëpunimit kërkimor-shkencor e artistik që nënshkruhet ndërmjet këtyre dy akademive, në të cilin përfshihen aktivitetet e përbashkëta në fushën kërkimore-shkencore e artistike për vitet 2011-2013 si dhe veprimtaritë e ndryshme shkencore, simpoziumet, konferencat, etj. Ky Protokoll u nënshkrua nga zëvendëskryetari i ASHASH akademik Muzafer Kortuli, dhe nënkryetari i ASHAK, akademik , Hivzi Islami. Në ceremoni, përveç akademikëve, të pranishëm ishin edhe ministri i Arsimit, Ramë Buja, dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

Ministri i arsimit, Ramë Buja, uroi që Protokolli të implementohet me sukses nga të dyja palët, ndërkohë që premtoi mbështetje financiare në suaza të mundësive buxhetore që ka MASHT. Ministri Buja përmendi edhe faktin se, në kuadër të bashkëpunimit shumëdimensional në fushën e arsimit synohet hartimi i një abetareje unike për gjithë shqiptarët .

Kryearti i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Besim Bokshi, u shpreh optimist për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të dy akademive, përderisa tha se protokolli i bashkëpunimit dyvjeçarë përmban veprimtari nga fushat e letërsisë, gjuhësisë, shkencave shoqërore e natyrore dhe të arteve.

Ndërkaq, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj, theksoi se përveç bashkëpunimit të ASHASH me akademitë e shteteve evropiane, me ASHAK ekziston një bashkëpunim edhe më i fuqishëm dhe më i frytshëm.

“Jemi dy akademi që kemi mirëkuptuar mjaft mirë njëra tjetrën në dy tre vitet e fundit, për të bërë ato punë që mund t’i bëjmë së bashku dhe që do t’i bëjmë shumë mirë edhe në të ardhmen”, tha Beqiraj.

Ndryshe, Protokolli parasheh që të dy akademitë e shkencave brenda dy vjetëve të realizojnë veprimtari në çështjen e standardizimit të shqipes dhe të terminologjisë, botimin e hartës arkeologjike, fjalorëve, mbajtjen e konferencave të ndryshme shkencore, por edhe të sesioneve, projekteve, promovimeve, si dhe shkëmbimin e botimeve të ndryshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›