E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia pjese e planit marshall per vendet e rajonit

Shqipëria është pjesë e paketës financiare prej 30 miliardë euro që Banka Botërore, BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve do të injektojnë në ekonomitë e 17 vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore. I ashtuquajturi plani “marshall” i BE për të mbrojtur ekonomitë e këtyre vendeve nga kriza në eurozonë, pritet të sjellë impakte pozitive në ekonominë e vendit tonë, për ri-qarkullimin e kapitaleve në treg dhe nxitur kredidhënien nga sektori bankar. Plani do të jetë një kombinim kredish të buta për qeveritë, por edhe financime direkte për sektorin privat, kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në disa sektorë, përfshirë edhe energjinë e rinovueshme.   lajmi i komunikuar javën e kaluar për këtë mbështetje financiare  është pasuar nga një marrëveshje mes të tre kredidhënësve ndërkombëtarë si një “përgjigje direkte” ndaj vështirësive që kanë shkaktuar problemet ekonomike të Eurozonës.
Paketa financiare mbetet një mundësi e mirë për Shqipërinë, jo vetëm për të lehtësuar sektorin ekonomik nga ndikimi i krizës së Eurozonës, por edhe për të injektuar kapitale të reja në treg. Institucionet financiare shqiptare ia kanë dalë me sukses deri më tani ta mbrojnë ekonominë e vendit nga efektet e krizës së eurozonës dhe asaj të vendeve fqinje.
Vendimi është komunikuar nga të tre institucionet ndërkombëtare.  Presidenti i BERZH Sir Suma Chakrabarti ka afirmuar se  “ndërsa sytë e botës janë fiksuar mbi problemet e Europës perëndimore, nuk duhet të harrojnë nevojën legjitime të Europës emergjente, që ka investuar kaq shumë në emër të integrimit ekonomik dhe financiar. Ndërsa Ëerner Hoyer presidenti i BEI shprehet se kjo përpjekje e koordinuar mes të tre institucioneve do të shërbejë për nxitjen e rritjes ekonomike, punësimit në rajon  si dhe rritjen e konkurrueshmërisë afatgjate. Edhe kreu i BB, Jim Yong Kim e ka përshëndetur këtë marrëveshje duke e konsideruar si një instrument mbrojtës ndaj efeketeve të krizës europiane në vendet e Europës Juglindore. 
 Në detaj plani përfshin 20 miliardë euro nga grupi i Bankës Europiane për Investime, BB do të kontribuojë me rreth 6,5 miliardë euro dhe BERZH do të investojë 4 miliardë euro.     

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›