Nishani-Hoxhaj Nuk ndryshojne kufijte ne rajon

Presidenti Nishani priti në takime të veçanta Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, si dhe Komandantin e Flotës Britanike, Admiral Zambellas, i cili ndodhet në vendin tonë për të inspektuar trupat britanike pjesëmarrëse në stërvitjen e përbashkët detare e tokësore “Albanian Lion 2012”, që përfshin trupat detare dhe të marinës britanike me tematikë përgjigjen ndaj krizave jashtë territorit të Mbretërisë së Bashkuar.
Në bisedën me ministrin Hoxhaj, duke sjellë në vëmendje Pavarësinë e Kosovës e shpallur mëse katër vjet më parë, Presidenti Nishani vlerësoi hapat e shtetit të ri në zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës, të cilat u njohën edhe nga komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Më tej, Presidenti Nishani rikonfirmoi angazhimin e tij institucional dhe personal në mbështetje të procesit të njohjes, të përfshirjes së Kosovës në nismat rajonale dhe më gjerë si dhe të integrimit të saj euroatlantik.
Kreu i Shtetit shqiptar dhe kreu i diplomacisë kosovare ndanë mendimin se Kosova është një realitet që i kontribuon stabilitetit dhe bashkëjetesës në rajon dhe se politika e fqinjësisë së mirë dhe e dialogut janë parimet bazë të politikës rajonale të Shqipërisë dhe Kosovës.
Bashkëbiseduesit gjithashtu rikonfirmuan domosdoshmërinë e dialogut Prishtinë-Beograd, zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme dhe vendosmërinë e shteteve të tyre kundër ndryshimit të kufijve aktualë në rajon.
Ndërkohë që në takimin me Admiralin Zambellas kreu i Shtetit solli në vëmendje edhe dekorimin më 11 nëntor me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes) të 46 ushtarakëve të Kommonëelthit, të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin shqiptar, si shprehje e mirënjohjes për aktin sublim të sakrificës së jetës në emër të lirisë dhe të paqes së popujve.
Presidenti duke i konsideruar stërvitjet e përbashkëta si një shans i mirë për rritjen e standardeve të Forcave tona të Armatosura e garantoi Admiralin Zambellas se Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke nënvizuar se rruga e vetme për vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet integrimi evropian.