“Shqipëria, pranë BE - në vjeshtë fitojmë statusin kandidat”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka vlerësuar progresin e politikës së jashtme, në afrimin e vendit me strukturat e integrimit të BE. Në vijim të punimeve të konferencës së ambasadorëve shqiptarë nëpër botë, Meta u ndal te integrimi i Shqipërisë, duke theksuar se jemi shumë pranë marrjes së statusit të vendit kandidat.
“Shqipëria tashmë është më pranë se kurrë BE-së. Ne shumë shpejt do të fitojmë statusin e vendit kandidat. Tashmë u është dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve të Pyetësorit që u dorëzua nga Komisioni Evropian në dhjetor të vitit të shkuar. Jemi në një dialog shumë të ngushtë dhe konstruktiv me Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian dhe vendet anëtare për të fituar statusin e vendit kandidat në një të ardhme sa më të shpejtë.
Ndërkohë, progres i jashtëzakonshëm është bërë në raport me një vit më parë për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave që çoi në propozimin e Komisionit Evropian për hapjen e procedurave legjislative për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, i cili u konfirmua dhe në takimin e nivelit te lartë të Sarajevës, si dhe nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së, që pa dyshim do të bëhet realitet shumë shpejt pasi vendi dhe institucionet tona kanë përmbushur me sukses të gjitha detyrimet. Ky ka qenë një objektiv kryesor i qeverisë dhe diplomacisë tonë dhe tani jemi në prag te kurorëzimit të tij. Ndërkohë që do të vazhdojë puna me intensitet të lartë për të vijuar me të gjitha detyrimet që rrjedhin sepse disa nga çështjet si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, trafiqeve të paligjshme, etj, do të vazhdojnë përtej liberalizimit të vizave. Prioritet themelor për politikën tonë të jashtme do të vazhdojë të jetë integrimi dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE”, u shpreh zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Kryediplomati shqiptar iu referua gjerësisht në fjalën e tij, çështjes së Kosovës, për të cilën deklaroi se do vazhdojnë njohjet të cilat do shton edhe më tej.
“Diplomacia jonë është në bashkëpunim me SHBA, Britaninë, Gjermaninë e Francën për të ndihmuar Kosovën në sfidat e saj. Kosova duhet të konsolidojë shtetin demokratik dhe bashkëjetesën etnike. Bashkëpunimi rajonal mund të jetë i plotë vetëm me pjesëmarrjen e të gjithëve”, vuri në dukje zëvendëskryeministri shqiptar.
Ai theksoi më tej se me Serbinë, Shqipëria ka qëndrime të ndryshme për Kosovën.
Meta vuri në dukje se rezoluta e Serbisë në OKB për Kosovën ishte e nxituar dhe konfirmoi se Shqipëria nuk do paraqesë një rezolutë të njëanshme.
“Qëndrimi ynë është i qartë se, mes Serbisë e Kosovës duhet të ketë dialog konstruktiv për përmirësimin e cilësisë së jetës pa dallim etnik. Ndjejmë keqardhje që Serbia pas shpalljes së opinionit të GJND paraqiti një rezolutë në OKB që për ne përbën hap të nxituar. Shqipëria nuk ka në plan të paraqesë në mënyrë të njëanshme një rezolutë, por është në unison të plotë me përpjekje e SHBA-së që kërkojnë një rezolutë të mirë konstruktuar që nuk sjell konflikte, por konsolidon paqen”, deklaroi më tej, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta.
Meta tha se Shqipëria ka një politikë të hapur dhe pa paragjykime ndaj Serbisë.
“Vizita ime në Beograd tregoi vullnetin tonë për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut”, shtoi Meta.
Duke prekur rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, Meta tha se Shqipëria ka përmbushur me sukses të plotë angazhimet që burojnë nga anëtarësimi në NATO, falë edhe mbështetjes së jashtëzakonshme të të gjithë vendeve anëtare, veçanërisht aleatit kryesor dhe partnerit strategjik të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu ai vuri në dukje se gjatë këtij viti, diplomacia shqiptare ka shtrirë në mënyrë të ndjeshme prezencën e saj diplomatike në rajonin tonë dhe në rajone të tjera të botës, duke ritheksuar se në kushtet e reja të zhvillimeve të vrullshme globale dhe pozicionit të ri të vendit në raport me to, kërkohet një dinamikë e re dhe një intensitet më i lartë në ndjekjen me profesionalizëm dhe efikasitet të ngjarjeve dhe vendimeve që ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në planifikimin strategjik dhe aktivitetin ditor të diplomacisë, e cila mbetet mekanizmi kryesor i implementimit të politikës së jashtme.