“Betonizimi i Parkut të Liqenit, masakra e fundit urbane e mister 20 për qindëshit”
Denoncon deputeti i PD-së Edi Paloka
Partia Demokratike ka denoncuar politikën abuzive të kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, i cili jo vetëm s’ka lënë hapësirë të lirë të kryeqytetit pa kthyer në pallate shumëkatësh, por të njëjtën politikë betonizimi po tenton të demonstrojë edhe me Parkun e Liqenit artificial. Deputeti demokrat, Edi Paloka, duke iu referuar sipërfaqes me kod U12-07, 130 mijë m2, hapësirë kjo e planifikuar për tu kthyer në një arenë ndërtimesh me intensitet të jashtëzakonshëm, me pallate që variojnë nga 25-30 kate, tha se Edi Rama me këtë aferë mbyll përfundimisht kapitullin e betonizimit në Tiranë, duke e kthyer këtë të fundit. Sipas ligjvënësit të PD-së, qytetarët s’duhet të heshtin përballë kësaj batërdie që mister 20 për qindëshi dhe firmat e lepujve po i bëjnë një prej zonave më të bukëra të kryeqytetit, Parkut të liqenit. “Si banor i Tiranës, jam sot para jush për të përcjellë shqetësimin e qytetarëve të qytetit tim, për projektin e shkatërrimit të së vetmes zonë të gjelbër të mbetur pranë Liqenit të Tiranës, nga Kryetari fukara dhe i pa shtëpi i Bashkisë së Tiranës. Sipërfaqja, me kod U12-07 e parashikuar për 130 mijë m2 ndërtim, e në një lartësi prej 30 katesh, është masakra e fundit urbane që mister 20 për qindëshi ka ideuar, në zonën më të bukur të kryeqytetit. 90 për qind të këtij projekti mostër prej betoni, mister 20 për qindëshi ia ka akorduar firmave të Lepujve që kanë lidhje me të. Unë bashkë me qytetarët e Tiranës, që duam të jetojmë këtu, të rrisim fëmijët në këtë qytet, nuk mund të pranojmë e aq më pak të heshtim para kësaj batërdie. Nuk mund te heshtim për 20 për qindëshin e lejeve të ndërtimit që Kryetari i Partisë së Leprit ia shton pasurisë së tij në emër të Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri, si dhe në emër të partnerëve të tij”, u shpreh deputeti Paloka. Partia Demokratike i bën edhe njëherë thirrje publike kryebashkiakut Edi Rama, të bëjë transparencën e pasurisë së tij dhe emrat e partnerëve të tij gjatë 12 viteve. “I kërkoj mister 20 për qindëshi te bëjë publikë emrat e partnerëve të tij gjatë 12 viteve të fundit, të bëjë transparencën e pasurisë të vendosur në emër të tyre, e të mos fshihet në kutinë e Leprit”, përfundoi deklaratën e tij për shtyp, ligjvënësi demokrat, Edi Paloka.
...