E Diel, 1 Nëntor 2026

Vokshi: “Rama, frikë nga denoncimet - askush veç tij dhe lepujve s’duhet të merret me biznes’


Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi reagoi përsëri dje ndaj sulmeve të Partisë Socialiste lidhur me bizneset e bashkëjetuesit të saj. Gjatë një konference për shtyp, deputetja demokrate tha se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama i errësuar nga frika e denoncimeve të aferave të rënda antiligjore, sulmon politikisht, ndërsa kërcënon se askush tjetër veç tij dhe lepujve, s’ka të drejtë të zhvillojë biznes në Shqipëri. “Frika, Zotit 20 për qindësh, i ka errësuar jo vetëm sytë por edhe mendjen dhe logjikën. Shpifjet në drejtimin tim dhe familjes sime po vijnë vetëm si pasojë e denoncimeve publike te korrupsionit të Edvin Kristaq Ramës, gjë që do të vazhdoj ta bëj edhe në ditët në vijim. PS doli sot me zbulimin tjetër të radhës, që Arian Tartari na qenkërka pronar apo bashkëpronar në 4 kompani. Dhe ky qenka krimi më i madh. Askush nuk paska të drejtë të bëjë biznes në Shqipëri përveç Lepujve dhe sekserëve të Edvin Ramës”, u shpreh deputetja Vokshi. Ajo tha se i përmbahet të gjitha deklaratave që ka bërë deri më sot. Deputetja Albana Vokshi sqaroi se bashkimi i kompanive, ku bashkëpronar në tre prej tyre është edhe Arian Tartari, ka marrë vetëm një kontratë koncesionare për lumin Kardhiq për ndërtimin e 6 HEC-eve të vegjël me kapacitet total prej 10.3 MW. “Këtë e ka bërë me garë të hapur publike duke respektuar parimin e transparencës dhe konkurrencës së ndershme, pa i paguar ndonjë lepuri 20 përqindëshin. Deri më tani janë dhënë rreth 100 kontrata, ku është parashikuar ndërtimi i 240 HEC-eve. çdo garë për koncesion bëhet mbi kapacitetin energjetik e jo mbi numrin e hidrocentraleve që do të ndërtohen mbi një lum. Mbase simulantët e përdorur, as tani nuk ju lënë të kuptoni që ndërtimi i shumë HEC-i brenda një kontrate, për arritjen e kapacitetit energjetik të kërkuar, përveç se shton koston dhe vlerën e investimit në kurriz të investitorit privat duke ulur fitimet, nuk i jep atij asnjë lloj privilegji. Në fakt, kjo duhet të ishte shumë lehtë e kuptueshme nga ju Edi Rama, pasi për një pallat, vetëm një leje ndërtimi jepni, pavarësisht kateve apo apartamenteve që ai pallat ka, përfshirë edhe pjesën e 20 për qindëshit të lepurit tënd”, tha më tej, deputetja Albana Vokshi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›