“Shqipëria pritet të përfitoj nga marrëveshja e lëvizjes së lirë në pranverë të 2010-s
TIRANË- Në tërësi njihet një progres i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, çka e shpjegon edhe urgjencën me të cilën ministrat e Brendshëm kanë kërkuar që të shpe jtohet procesi i heqjes së vizave për shqiptarët. Liberalizimi i vizave do të bëhet me urgjencë, menjëherë sapo ekipet e verifikimeve të bëjnë raportimet e tyre në Bruksel. Kështu është shprehur dje ministri i Brendshëm Lulzim Basha, lidhur me
liberalizimin e shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë me BE.
Ministri i Brendshëm, Lulzuim Basha i cili mori pjesë në takimin e ministrave të Brendshëm në Bruksel, deklaroi se vendimi i BE për t’i dhënë efekt heqjes së vizave për qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë është një lajm shumë i mirë edhe për Shqipërinë. „E them këtë pasi kam diskutuar me kolegët europiane, me zv/presidentin Barrot, me ministrin suedez të presidencës suedeze Tobias Billstrom, ku është shprehur gatishmëria e komisionit, parlamentit dhe Këshillit të Ministrave për të ecur me urgjencë me liberalizimin e vizave me Shqipërinë menjëherë sapo raportimet e ekipeve të verifikimit të kenë ardhur në Bruksel. Unë u shpjegova atyre dhe pata mirëkuptimin e tyre të plotë se në këto momente Shqipëria aktualisht ka realizuar pjesën dërrmuese të detyrave në atë stad që ndodheshin edhe tre vendet që sot kanë përfituar kur u kontrolluan për herë të fundit. Ajo që pritet dhe ajo që m’u tha edhe nga zoti Barrot që ia komunikoi edhe Kryeministrit Berisha në një bisedë telefonike, ajo që pritet është që menjëherë këto verifikime të kryhen dhe të nxitojë të japë të njëjtin vendim pozitiv edhe për Shqipërinë“, u shpreh ministri Basha, duke shtuar se „ky është një lajm jashtëzakonisht shumë i mirë për Shqipërinë pasi vërteton kredibilitetin e procesit, vërteton gjithashtu që menjëherë pas verifikimit të përparimit tashmë të njohur nga parlamenti europian, Komisioni Europian dhe vendet anëtare, që Shqipëria do të përfitojë nga heqja e vizave siç është shprehur edhe Kryeministri Berisha jo më vonë se 6 mujori i parë i vitit që vjen. Por mund t’iu them nga takimi im sonte këtu se jam optimist se ky proces mund dhe do të përshpejtohet“.
Ministri Basha shtoi më tej se gjatë takimeve që ka zhvilluar me ministrat e Brendshëm të BE, ka marrë konfirmimin Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së i cili është organi vendimmarrës për heqjen e vizave, do të mbështesë fuqimisht liberalizimin e vizave Shqipëri-BE. Sipas ministrit Basha, një numër i madh ministrash që kanë marrë fjalën në mbledhjen e djeshme, kanë kërkuar që të ecet përpara me vendimmarrjen për Shqipërinë, menjëherë, kërkesë së cilës zv/presidenti Barrot i është përgjigjur se: Komisioni do të jetë i gatshëm që të veprojë menjëheëe pasi verifikimet të kthehen dhe po punon që këto verifikime të kryhen brenda një kohe sa më të shkurtër, pra të përshpejtohen.
Duke iu referuar përmbushjes së kushteve të KE, Basha nënvizoi se Shqipërisë i njihet një progres i jashtëzakonshëm në këtë drejtim, gjë e cila është mbështetur dhe vlerësuar nga ministri i Brendshëm italian Maroni dhe ministra të tjerë të brendshëm të vendeve të tjera siç është Suedia, presidenca evropiane mbahet aktualisht nga ajo, apo belgjika edhe vende të tjera. „Mund të them se ministrat e brendshëm janë sot tërësisht të ndërgjegjshëm se Shqipëria e cila 6 muaj përpara kur u bë inspektimi i fundit nuk kishte asnjë pasaporte biometrike sot numëron afron 300.000 pasaporta biometrike. Sa i përket, regjimit rregjimit kufitar, Basha tha se para 6 muajsh kur u bënë inspektimet e fundit nuk ishin instaluar plotësisht sistemet e kontrollit, ndërsa sot janë të instaluara jo vetëm sistemet e kontrollit që kërkohen nga udhërrëfyesi por edhe shumë e shumë sisteme të tjera të sigurta të niveleve evropiane, të niveleve të zonës „Schengen“, dmth që nga ana teknike janë superiorë ndaj atyre të gjetura në 3 vendet të cilat sapo përfituan“, deklaroi më tej, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Liberalizimi i vizave, MPJ: BE po jep sinjale inkurajuese edhe për Shqipërinë/Vendimi i Bashkimit Evropian për të liberalizuar vizat me tre shtete ballkanike, dy prej të cilave fqinje me ne, ka sjellë një reagim zyrtar dje nga Ministria e Punëve të Jashtme. Përmes zëdhënësit Ralf Gjoni, MPJ përshëndet miratimin nga ana e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE të propozimit të Komisionit për heqjen e vizave Schengen me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. „Sigurisht që ky është një sinjal shumë pozitiv për të gjithë Ballkanin Perëndimor si dhe për objektivat tona të përbashkëta integruese në BE“, tha Gjoni. Ai shtoi se „kam besim se shumë shpejt, do të kemi një Propozim nga Komisioni për Shqipërinë, duke patur parasysh se ecuria e përmbushjes së kritereve nga ana jonë është optimale“. Le të mos harrojmë, - vijoi Gjoni, - pikënisjen e Shqipërisë në raport me fqinjët e saj të ish-Jugosllavisë, dhe të shohim qartë progresin konkret që është bërë në vendin tonë përgjatë viteve. Ndërsa duke përfunduar, Gjoni siguroi se „ne po punojmë fort si brenda, ashtu edhe jashtë vendit që brenda vitit 2010 t’u mundësojmë qytetarëve shqiptarë lëvizjen pa viza në hapësirën Schengen“.