E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, sërish në axhendën ndërkombëtare të krizave

Miratimi nga Asambleja Parlamentare e
Këshillit të Evropës i rezolutës që kërkon hetimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe
fokusimin te roli i presidentit Topi si ndërmjetës i krizës, ka trazuar jetën
politike në Tiranë. Kryeministri Sali Berisha, në përpjekje për të mos pranuar
dështimin e tij në Strasburg, po përpiqet ta lexojë ndryshe nga sa është
shkruar rezolutën e Këshillit të Evropës, duke këmbëngulur në moshapjen e
kutive dhe duke kushtëzuar ndërmjetësimin e presidentit Topi. Kryeministri
Berisha dështoi në injorimin e gjendjes së krizës në Shqipëri, duke iu hedhur
poshtë amendamenti që kërkonte të hiqej fjala krizë nga rezoluta

Mero Baze*

Shqipëria u rifut në axhendën ndërkombëtare të
krizave pas votimit me shumë debate të rezolutës së Këshillit të Evropës, e
cila përcakton qartë se Shqipëria po përjeton një krizë të rëndë politike, dhe
kërkon hetim të zgjedhjeve të 28 qershorit si dhe forcimin e rolit të
presidentit Topi si mediator i kësaj krize. Pra, nëse i hedh një vështrim të
përgjithshëm problemit më të madh që krijoi injorimi i krizës politike në vend
prej kryeministrit Berisha, është rifutja e Shqipërisë në axhendën e krizave.
Kjo përfshirje u bë me vetëdije të thellë nga Asambleja e Këshillit të Evropës,
e cila hodhi poshtë mes të tjerash dhe amendamentin e propozuar nga Berisha, i
cili kërkonte zbutjen e fjalorit politik për termin krizë politike. Ky standard
është më i ulëti që Shqipëria ka pasur që pas vitit 1997 në arenën
ndërkombëtare, kur në vend u desh të vinin forca ndërkombëtare për të siguruar
qetësinë. Rifutja e Shqipërisë në axhendën ndërkombëtare të krizave, është po ashtu një bilanc i
hidhur që shoqëron shpesh si fatalitet qeverisjet e zotit Berisha në Shqipëri.
Por problemi tashmë nuk qëndron vetëm te fakti që kemi hyrë në këtë axhendë,
por te këmbëngulja e zotit Berisha për të mos përfillur rekomandimet
ndërkombëtare, gjë që do të rëndojnë më tej krizën dhe do të kërkojnë angazhime
të reja të komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e saj. Berisha realisht pas
pranimit formal të rezolutës, nuk pranon asgjë nga thelbi i përmbajtjes së saj.
Ai nuk pranon pikë së pari hetimin e zgjedhjeve, e cila është kërkesë themelore
e rezolutës, duke theksuar se nuk do të pranojë hapjen e kutive. Nëse nuk
pranohet kjo kërkesë, rezoluta praktikisht është hedhur poshtë nga Tirana
zyrtare, dhe kriza rikthehet në pikën fillestare. I njëjti refuzim i qartë i
Berishës është dhe për ndërmjetësinë e Presidentit Topi në këtë krizë. Pas disa
gjesteve publike refuzuese për të, zoti Berisha zgjodhi sot të bëjë një
tërheqje formale duke pranuar ndërmjetësimin e tij me kusht që ai të bindë Edi
Ramën të plotësojë kushtet e Sali Berishës. Ky qëndrim regresiv ndaj
rekomandimeve ndërkombëtare, dhe kjo përpjekje për ta konsideruar krizën
problem të opozitës dhe jo problem të raporteve të qeverisë me standardet e
zgjedhjeve, është realisht një qasje armiqësore e tij ndaj rekomandimeve të
Perëndimit për këtë krizë politike. Nëse zoti Topi bind vetëm njërën palë të
heqë dorë nga kërkesat, siç kërkon zoti Berisha, atëherë ai nuk është
negaociator, por i dërguar i zotit Berisha tek Edi Rama. Dhe nga ana tjetër,
nëse zoti Rama heq dorë nga ato kërkesa, atëherë ska kuptim të flasim për
krizë. Pra e gjithë loja e fjalëve e Berishës, është një mënyrë për të refuzuar
me një fjalor konfuz të gjithë rekomandimet ndërkombëtare për zgjidhjen e
krizës dhe për të qëndruar konstant në qëndrimin e tij për moshapjen e kutive
dhe mospërfilljen e rolit të Presidentit Topi në ndërmjetësimin e kësaj krize. Kjo, jo vetëm që do të na mbajë për një kohë të gjatë në krye të axhendës
ndërkombëtare të krizave, por do të na fusë dhe në axhendën e veprimit të
ndërkombëtarëve, për të na e zgjidhur ata krizën. Dhe kjo ndodh sa herë që
njëra palë e krizës është Sali Berisha.

(*) Dërguar
nga autori, pikëpamjet janë personale

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›