Kryeministri Berisha pret Drejtorin e Prokurorisë Publike të Mbretërisë së Bashkuar, Sir Ken Macdonald
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në takim Drejtorin e Prokurorisë Publike të Mbretërisë së Bashkuar, Sir Ken Macdonald.
Kryeministri Berisha i uroi Sir Ken Macdonald mirëseardhjen në Shqipëri si dhe i shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën që qeveria britanike ka dhënë dhe i jep zhvillimit dhe reformimit të institucioneve shqiptare.
Sir Ken Macdonald e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe i shprehu vlerësimet pozitive për ecurinë e reformave që Shqipëria po ndërmerr në sistemin gjyqësor, si dhe për vendosmërinë dhe forcën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.
Sir Ken Macdonald u shpreh se do të ketë një bashkëpunim të frytshëm e të vazhdueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve si dhe në modernizimin e strukturave të policisë shqiptare.
Gjithashtu Kryeministri Berisha tha se vendosmëria e qeverisë shqiptare në këtë luftë ka sjellë progres të dukshëm dhe se kjo ka bërë që në këto dy vite Shqipëria të ketë një nga indekset më të ulëta të kriminalitetit ndër vendet europiane.
Reformimi i Policisë së Shtetit, shtoi Kryeministri Berisha, është në rrugë të drejtë por ajo që është më e rëndësishme është konsolidimi i këtyre reformave dhe vendosja e standardeve të reja si dhe forcimi i inteligjencës brenda policisë.
Në këtë kuadër ishte me shumë rëndësi nënshkrimi i marrëveshjes midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme për një specifikim të përgjegjësive dhe detyrave të këtyre institucioneve.
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të nënshkruajë çdo marrëveshje në çdo nivel bashkëpunimi për të rritur efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
Kryeministri Berisha gjithashtu shtoi se si asnjëherë tjetër në Shqipëri ka një klimë të favorshme politike mes pozitës dhe opozitës për ndërmarrjen e reformave thelbësore për vendin, si në reformimin e sistemit gjyqësor dhe reformat e tjera në tërësi, duke u ndalur në bashkëpunimin mes forcave politike për heqjen e imunitetit, në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptare të jenë të barabartë përpara ligjit.
Sir Ken Macdonald u shpreh se heqja e imunitetit është një hap shumë i rëndësishëm që tregon vullnetin e plotë të Shqipërisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin.