E Diel, 1 Nëntor 2026

Zvicra mbështetje financiare për Shqipërinë

 

Qeveria e Zvicrës rriti fondet për Shqipërinë duke siguruar 500,000 CHF në vit për Fondin e Koherencës ‘Një OKB’ për tre vitet në vijim, një total prej 1.5 milion CHF (afërsisht 1.3 milion USD). Zvicra është një prej donatorëve të parë që ka ofruar mbështetje për Programin Një OKB me një kontribut fillestar prej 325,000 CHF (afërsisht 290,000 USD) për Fondin e Koherencës dhe 240,000 USD në mbështetje të menaxhimit të procesit të reformës së KB në vend. “Duke punuar prej më shumë se 10 vjetësh në Shqipëri, Zyra e Bashkëpunimit Zviceran e mirëpret Programin e përbashkët të Kombeve të Bashkuara,” u shpreh Daniel Züst, Drejtues i Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran. Sipas tij, mbështetja e koordinuar për ngritjen e kapaciteteve në të gjitha nivelet dhe përqendrimi mbi çështjet e përfshirjes sociale dhe barazisë gjinore do të riforcojë programin dypalësh të Zvicrës.” Zvicra po mbështet fuqishëm reformën e Kombeve të Bashkuara në nivel global dhe kontributi i Zvicrës ndaj Fondit të Koherencës në Shqipëri do të forcojë më tej drejtimin e asistencës së zhvillimit nga autoritetet e vendit. Qeveria e Shqipërisë në bashkëpunim me Ekipin e Kombeve të Bashkuara vendos mbi prioritetet që duhen ndërmarrë nga Programi ‘Një OKB’, prioritete të cilat financohen përmes Fondit të Koherencës. “Kontributi i Zvicrës ka një domethënie të veçantë për shkak të pranisë shumë-vjeçare në vend, duke rritur parashikueshmërinë e financimit sipas “Deklaratës së Parisit mbi Efektshmërinë e Ndihmës së Huaj”, tha Valbona Kuko, Drejtore e Njësisë për Koordinimin e Ndihmës së Huaj pranë Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj, të Këshillit të Ministrave, “kjo do të mundësojë planifikim dhe menaxhim më të efektshëm të programeve të zhvillimit”. Objektivi i Programit ‘Një OKB’ është mbështetja e Shqipërisë për arritjen e objektivave të saj të shprehura në Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit me Bashkimin Evropian, si edhe prioritetet kombëtare të shprehura në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim në Sistemin e Planifikimit të Integruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›