Zhdukja e Ismet Kryeziut, policia heton borxhet
Dashamir Biçaku
Gruaja e ish-aktivistit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është zhdukur në Tiranë prej të shtunës, ka pasur një telefonatë nga Prishtina ku i është thënë se Ismet Kryeziu duhet të kërkohet tek miku me të cilin kishte lënë takim para se të humbiste gjurmët. Anila, bashkëshortja e të zhdukurit Ismet Kryeziu, tha dje se ka marrë një telefonatë nga një mik i Ismetit nga Prishtina, i cili i ka thënë t'i telefononte një personi me të cilin i zhdukuri 54-vjeçar kishte lënë takim ditën kur u largua nga shtëpia e Çerçiz Leçit, vjehrrit të tij me banim në Allias të Tiranës. Gruaja e të zhdukurit pohon se i shoqi iku nga shtëpia dhe nuk u kthye më vetëm një ditë para se çifti të nisej për në Prishtinë pas një qëndrimi disa ditor në Tiranë. Në një intervistë për gazetën, gruaja e të zhdukurit tregoi ngjarjen dhe dyshimet e saj, ndërsa policia po heton mundësinë që i zhdukuri të ketë pasur borxhe, të cilat shkaktuan ngjarjen.
Znj. Kryeziu, në çfarë rrethanash ka ndodhur largimi i bashkëshortit tuaj, Ismetit nga shtëpia?
Ne kemi qenë në shtëpi, kur ai është telefonuar dhe i ka thënë dikujt në telefon, që ta priste aty ku ishte vetëm pesë minuta se po afrohej shumë shpejt. Ai vazhdimisht na tregonte ku shkonte e sa do të vonohej. Dhe nëse mbyllte telefonin na thoshte që kaq kohë e kishte telefonin të mbyllur. Atë natë doli dhe vetëm na tha, se do të shkonte të pinte kafe me një shok, por nuk tregoi me kë dhe ku.
Janë hedhur dyshime se bashkëshorti juaj mund të ketë ikur me dëshirën e tij, ju dyshoni se ai mund të jetë rrëmbyer?
Nuk mendoj se ka ikur me dëshirën e tij. Ai në të vërtetë do të pinte një kafe, por nuk u kthye më. Në të gjitha rastet ai do të kishte njoftuar dhe do të më kishte vënë në dijeni për ndonjë lëvizje që do të kryente. Aq më tepër që ne të nesërmen, pra të dielën duhej të niseshim për në Kosovë, pasi kishim dhjetë ditë që kishim ardhur në Tiranë, për të vizituar vajzën tonë.
A ju ka telefonuar Ismeti pas largimit, apo ndonjë shok i tij?
Ismeti që prej të shtunës pasi doli të takonte mikun e tij nuk na ka telefonuar. Unë e kam telefonuar disa herë, por telefoni i tij del i mbyllur. Të nesërmen e largimit të Ismetit më ka telefonuar një mik i tij nga Prishtina, Shabani. Ai më tha që të merrja një mikun e tim shoqi në Tiranë në telefon dhe ta pyesja se ku ishte Ismeti dhe ta kthente.
Personi në fjalë tek i cili ju thanë ta kërkoni të zhdukurin, është mik i njohur i Ismetit, a e telefonuat këtë person?
Jo nuk e mora dhe nuk kam folur në telefon me të. Ai është njeri i njohur nga ana e Ismetit, djali i tij ka qëndruar dhe është strehuar në shtëpinë tonë. Menjëherë të dielën paradite unë kam shkuar në polici dhe kam dhënë një kallëzim për largimin nga banesa të tim shoqi. Sqaroj se nuk kam denoncuar se është larguar me dëshirën e tij, por as se është zhdukur apo e kanë rrëmbyer. Por nëse do të ishte larguar me dëshirën e tij, do të na kishte thënë ne një fjalë.
A ka pasur probleme borxhesh bashkëshorti juaj?
Jo aspak. Nuk ka pasur probleme borxhesh me asnjë person. Unë më tepër dyshoj se personat që e kanë marrë mund të kërkojnë ndonjë lekë, për shkak se mendojnë se Ismeti ka hapur një biznes dhe mund të ketë para.
Në shtëpinë tuaj në Prishtinë, herë pas here hynin edhe shumë shqiptarë nga Shqipëria dhe Ismeti kishte shumë kontakte në Tiranë. A kishte nga këta që ju dukeshin të dyshimtë ?
Po ka pasur njerëz që Ismeti i ka mbajtur me bukë, që i ka ndihmuar dhe më pas ia kanë kthyer me të keq. Ia kam thënë këtë Ismetit, por nuk më dëgjonte dhe shpesh më thoshte: Do shohë Zoti mbi këta njerëz. Unë nuk dua të kem armiq". Dhe ai kurrë nuk donte të kishte armiq.
Miku i të zhdukurit: Ai kishte borxhe në Prishtinë
TIRANE - Pas largimit nga banesa në mënyrë enigmatike të ish- aktivistit të UÇK-së, policia shqiptare ka kryer disa verifikime të personave "të dyshuar". Në ambientet e Komisariatit të policisë nr.4 është shoqëruar Dritan Goxhi dhe babai i tij, Dilaver Goxhi, pasi sipas burimeve zyrtare janë miq të njohur të Ismet Kryeziut. Policia tha se Goxhi ka treguar për hetuesit se Ismeti i kishte kërkuar ndihmë atij për të shlyer një borxh në Prishtinë dhe për këtë, edhe e kishte thirrur në takim të shtunën kur edhe u zhduk. Pikërisht me personat e shoqëruar në polici, mësohet se kishte lënë takim Ismet Kryeziu të shtunën në mbrëmje, në orën 18:00, koha kur është zhdukur pa gjurmë. Dilaver Goxhi ka pohuar për hetuesit e policisë se kishte lënë për kafe me aktivistin kosovar, por ai nuk kishte mundur ta takonte, pasi Ismeti nuk kishte ardhur. Dilaver Goxhi, ka dhënë një deklarim të hollësishëm në ambientet e komisariatit të policisë nr.4, përballë një hetuesi, ku ka sqaruar versionin e tij mbi ngjarjen. Sipas tij, Ismeti i kishte kërkuar ndihmë financiare për të shlyer një borxh tek disa persona në Prishtinë. I shoqëruari në polici ka pranuar se ka pasur mosmarrëveshje me të zhdukurin për çështje të ndryshme, porse nuk kishte dijeni mbi adresën dhe shkakun e largimit të Ismet Kryeziut. Zyrtarët e policisë së Tiranës thanë dje se po hetonin në këtë pistë borxhesh, porse nuk kanë lënë jashtë vëmendjes edhe pista të tjera. d.b
Gruaja: Ishte mik i Remzi Hoxhës
"Ismeti ka qenë mik, shok dhe bashkëluftëtar i Remzi Hoxhës, ka qenë i shqetësuar dhe i preokupuar pas vdekjes së tij dhe ky preokupim i tij do të vazhdojë, derisa eshtrat e tij t'i kthehen familjes", tha zonja Kryeziu, gruaja e 54-vjeçarit të zhdukur të shtunën në Tiranë, në një deklaratë të shpërndarë dje për median. Më tej gruaja e të zhdukurit është shprehur, duke hedhur poshtë versionet që sipas saj e quanin të shoqin të përfshirë me shërbimet sekrete. E shoqja e ish-aktivistit të UÇK-së, ka falënderuar krerët e policisë së Komisariatit nr.4, duke thënë se policia dhe prokuroria janë organet legjitime, që duhet të hedhin dritë mbi ngjarjen dhe askush tjetër.