Shqipëria shtyn Portugalinë drejt krizës

Pjesa më e madhe e shtypit portugez reagoi në mënyrën më kritike të mundshme ndaj lojtarëve, por sidomos ndaj Karlos Kueiroz, pas ndeshjes, ku Portugalia u turpërua në shtëpinë e saj.
Titujt kryesorë të tre të përditshmeve sportive, ishin të pakëndshëm për t’u lexuar nga trajneri i Portugalisë, por edhe gazetat e tjera nuk ishin aspak më të rrepta në këtë aspekt.
Shtypi portugez
Gazeta “Bola” pyet me ironi: “Kështu pra, unë na qenkam një gomar?”, duke aluduar një përgjigje të famshme ndaj kritikave, të bërë nga paraardhësi i Kueiroz, Luiz Filipe Skolari.
Analiza e ndeshjes, përfshinte atë që u perceptua si një listë gabimesh trashanike të bëra nga Kuerizos në përzgjedhjen e skuadrës dhe në zëvendësime lojtarësh.
Fjala “E turpshme!” zinte vendin kryesor në faqen e parë të gazetës “Jogo”, e rrethuar nga fotografi të lojtarëve portugezë, duke bërë gjeste lodhjeje dhe një Carlos Kueiroz me pamje të dorëzuar.
Rekordin e titujve e mbante: “Ky film na erdhi në majë të hundës”, i vendosur mbi një fotografi, ku Kueiroz dukej në gjendje të mjeruar.
Nëntitulli theksonte se, “Pasi u mund nga Danimarka dhe humbi edhe me Suedinë, një ndeshje, e pamenduar kurrë si fatale, kundër Shqipërisë e ka vënë Portugalinë në një pozicion jashtëzakonisht të komplikuar për kualifikimet e Botërorit 2010.
Gazeta “Diário de Notícias” është këmbëngulëse në komentin e bërë, duke shkruar se “Fare pa ide dhe pa shpirt luftarak, dje Portugalia bëri një paraqitje që do të mbahet mend në histori për arsyet më të dobëta”.
Gazeta “Publico”, e përditshmja më e vlerësuar në Portugali, ngeli vetëm pa burgosur askënd në komentin e saj rreth “shfaqjes horror” në Braga: “Portugalia bëri një performancë të tmerrshme. Pa vizion, pa dëshirë, pa temperament. Nuk është hiç shenjë e mirë, kur duartrokitja më e madhe e pjesës së parë erdhi si pasojë e nxjerrjes nga loja e një lojtari kundërshtar. Nuk është hiç shenjë e mirë fakti që, gjatë këtyre 45 minutave, Portugalia nuk mundi të ndërtonte asnjë sulm me një start, vijim dhe përfundim...”.
“Shqipëria e fitoi botërorin e saj”, është titulli tjetër i “Publico”. “Ndeshja më e keqe në 30 vitet e fundit shkruan “Correio de Manha”, i cili ka edhe një titull tjetër: “Kueiroz në kuotën zero”.
Sa për faqen kryesore të internetit të Kombëtares portugeze, “Maisfutebol”, nën titullin kryesor “Në buzë të greminës”, çdokush mund të lexojë”. “Dhemb shumë kur e shkruan, por ja që duhet thënë.
Portugalia pati rezultatin nul-nul në ndeshjen kundër Shqipërisë... Do të doja ta mbyllja këtë koment me reagimin e kreut të Federatës Portugeze të Futbollit, por ai iku nga stadiumi, para se të mbaronte ndeshja. Për më tepër, pasi pa atë lloj paraqitjeje, të gjithëve iu duk sikur ai ia mbathi”.
Shtypi Evropian
E përditshmja franceze “L’Equipe” ka dalë me titullin e madh: “Portugalia nuk ishte”. Po kaq poshtë e kanë hedhur edhe mediat spanjolle skuadrën e Keirozit.
“Marca” shkruan: “Portugalia qesharake përballë Shqipërisë”, ndërsa e përditshmja tjetër “AS”, ka si titull: “Portugalia e pafuqishme për t’i shënuar Shqipërisë”.
Edhe UEFA e FIFA kane lënë hapësirë në faqet e tyre të internetit për këtë rezultat. Të dyja këto faqe interneti kanë publikuar një artikull me titull: “Shqipëria me 10 futbollistë arrin t’i rezistojë Portugalisë”. Ndërsa sportivja italiane “Corriere dello Sport”, titullon “Portugalia në krizën e zezë”.